Emre Aşıkçı
01 Qershor 2020•Përditësim: 02 Qershor 2020
Legjenda e NBA-së, Michael Jordan shprehu trishtimin dhe zemërimin e tij për vdekjen e George Floyd, një person me ngjyrë i paarmatosur që ndërroi jetë javën e kaluar pasi një polic i bardhë në Minneapolis i kishte vënë gjurin në qafë, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Jam shumë i pikëlluar, me dhimbje të vërtetë dhe i zemëruar. E shoh dhe e ndiej dhimbjen, zemërimin dhe zhgënjimin e të gjithëve. Qëndroj me ata që po thërrasin kundër racizmit dhe kundër dhunës së rrënjosur ndaj njerëzve me ngjyrë në vendin tonë. Mjaft është", tha ai.
Legjenda e Chicago Bulls-it bëri thirrje për përmbajtje dhe ndjeshmëri mes përleshjeve midis protestuesve dhe policisë pas vdekjes së Floyd.
"Ne duhet të dëgjojmë njëri tjetrin, të tregojmë dhembshuri dhe ndjeshmëri dhe kurrë të mos i kthejmë shpinën brutalitetit të pakuptimtë. Ne kemi nevojë të vazhdojmë shprehjet paqësore kundër padrejtësisë dhe të kërkojmë përgjegjësi", shtoi ai.
Jordan, 57-vjeçar, ftoi të gjithë të qëndrojnë krah për krah në mënyrë që të bëhen pjesë e zgjidhjes.
"Zëri ynë i unifikuar duhet të bëjë presion ndaj liderëve tanë për të ndryshuar ligjet tona, ose duhet të përdorim votën tonë për të krijuar ndryshime sistemike. Secili prej nesh duhet të jetë pjesë e zgjidhjes, ndërsa ne duhet të punojmë së bashku për të siguruar drejtësi për të gjithë".
Ai gjithashtu shprehu ngushëllimet e tij të përzemërta për familjen e George Floyd.
"Zemra ime është me familjen e George Floyd dhe shumë të tjerëve, jeta e të cilëve është marrë brutalisht dhe pa sens, përmes akteve të racizmit dhe padrejtësisë", shtoi ai.
Jordan ka fituar gjashtë tituj në NBA gjatë 15 sezoneve.
Ai gjithashtu fitoi çmimin e MVP-së pesë herë.