Ekip
01 Maj 2017•Përditësim: 02 Maj 2017
MOSKË/KIEV (AA) – Mijëra punëtorë u mblodhën në sheshet qendrore në Moskë dhe Kiev duke kërkuar më shumë të drejta të punëtorëve dhe kushte më të mira pune, raporton Anadolu Agency (AA).
Në mbarë botën sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve si njëfarë përkujtimi i demonstratave të mëdha të punës të mbajtura në Çikago në vitin 1886.
Demonstratat u organizuan për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të punëtorëve për përmirësimin e kushteve të punës.
Kjo ditë në kuptim të gjerë ka rëndësi shumë të madhe për lëvizjen punëtore dhe është edhe Dita Botërore e Solidaritetit të Punëtorëve.
Si edhe pjesa tjetër e botës, mijëra punëtorë u mblodhën sot në Sheshin kryesor të Kuq të Moskës para Kremlinit. Situatë e ngjashme edhe në Ukrainën fqinjë ku manifestimi qendror me rastin e 1 Majit u organizua në qendër të Kievit.