Gülşen Topçu
15 Janar 2020•Përditësim: 15 Janar 2020
Milicët e lidhur me liderin e forcave të armatosura jolegjitime në lindje të Libisë, Khalifa Haftar, kanë kryer sulme me raketa ndaj rajoneve Salah al-Din dhe Ramla në jug të kryeqytetit Tripoli, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA), Muhammed Kununu mbajti një konferencë për media lidhur me çështjen nga Qendra e Shtypit e operacionit Burkan Al-Ghadab.
"Milicët e Haftarit kanë lëshuar raketa ndaj vendbanimeve në rajonet Salah al-Din dhe Ramla", tha Kununu duke shtuar se në rajon janë vendosur ushtarët mercenarë mbështetës të Haftarit dhe se mjetet ajrore pa pilot (dronët) e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) kanë kryer fluturime në qiejt e Tripolit.
Kununu tha se forcat e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) kanë kapacitetin për t‘iu kundërpërgjigjur milicëve të Haftarit. Ai i bëri thirrje popullatës së larguar nga rajoni që të mos kthehen në shtëpitë e tyre në periudhën derisa vazhdojnë konfliktet.
GNA në fund të bisedime të zhvilluara ditë më parë në Moskë nënshkroi marrëveshjen e armëpushimit e cila ishte përgatitur me iniciativën e Turqisë dhe Rusisë. Por, Haftari u largua dje në mëngjes nga Moska pa nënshkruar marrëveshjen.
Ndërsa kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve me qendër në Tobruk, Aguila Saleh, mbështetës i liderit të forcave të armatosura jolegjitime në lindje të Libisë, Khalifa Haftar në një deklaratë të bërë më parë njoftoi se në Libi "ka përfunduar armëpushimi dhe se lufta do të vazhdojë".