Mücahit Aydemir
02 Shtator 2020•Përditësim: 03 Shtator 2020
Ushtria e Libisë njoftoi se milicët e Khalifa Haftarit, liderit të forcave jolegjitime në lindje të vendit kanë shkelur armëpushimin duke sulmuar me 6 raketa "Grad" njësitë e ushtrisë në perëndim të qytetit Sirte, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i ushtrisë së Libisë, Mohamed Qanunu, në një deklaratë nga llogaria e tij në rrjetin social tha se "Forcat tona në ora 00.06 sipas kohës lokale përcaktuan edhe një shkelje tjetër të armëpushimit të pritur. Kjo është shkelja e dytë që bëhet në një periudhë më të shkurtër se 72 orë".
Duke informuar se milicët e Haftarit kanë sulmuar me 6 raketa "Grad" njësitë e ushtrisë në perëndim të Sirtes, Qanunu vuri në dukje se njësitë e ushtrisë janë në përgatitje të plotë dhe se do të jipet përgjigja e nevojshme në kohën dhe vendin e duhur.
Vendimi për armëpushim në Libi
Kryeministri i Libisë, Fayez al-Sarraj dhe kreu i Parlamentit të Tobrukut, Aguila Saleh, aleati politik i Haftarit, liderit të forcave jolegjitime në lindje të Libisë, njoftuan më 21 gusht vendimin e marrë për armëpushim.
Në kuadër të armëpushimit, parashikohet që Sirte dhe Al-Jufra të jenë zona të demilitarizuara, të rifillojë prodhimi dhe eksportimi i naftës në vend, të largohen ushtarët mercenarë dhe të huaj nga vendi si dhe në marsin e ardhshëm të mbahen zgjedhjet e përgjithshme dhe të Këshillit presidencial.