Betül Yürük
08 Shkurt 2018•Përditësim: 09 Shkurt 2018
NEW YORK (AA) - Përfaqësuesi i Përhershëm i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, theksoi se organizata terroriste PYD/PKK muajin e kaluar në Siri ka liruar 400 pjesëtarë të DEASH-it dhe se 120 militantë të kësaj të fundit i janë bashkangjitur Forcave Demokratike të Sirisë (FDS), duke shtuar se janë duke u zbatuar standarde të dyfishta ndaj terroristëve me shpërfilljen e këtij problemi, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një mbledhje në lidhje me aktet terroriste në Këshillin e Sigurimit të OKB-së (KS-OKB), Nebenzia tha se organizatës terroriste DEASH i janë pakësuar të ardhurat nga nafta dhe se përfitimet që kishte siguruar nga trafikimi i naftës dhe gazit natyror deri në fund të vitit të kaluar kishin arritur në dy milionë dollarë.
Nebenzia tha se DEASH është duke u përpjekur që t'i rrisë burimet e të ardhurave përmes internetit me teknologji moderne.
Diplomati rus theksoi nevojën për të kërkuar llogari nga mbështetësit direktë apo indirektë të DEASH-it, duke tërhequr vëmendjen se muajin e kaluar janë bërë shkelje në këtë aspekt. Ai tha se PYD/PKK muajin e kaluar ka liruar 400 pjesëtarë të DEASH-it dhe se 120 pjesëtarë të saj i janë bashkuar radhëve të FDS-së, grup i përbërë nga organizata terroriste PYD/PKK.
Nebenzia u shpreh se janë duke u zbatuar standarde të dyfishta ndaj terroristëve me shpërfilljen e këtij problemi.
Ndërkaq, në një deklaratë për gazetarët pas mbledhjes, Nebenzia e cilësoi si "shqetësuese" goditjen e forcave të regjimit në Siri nga ana e SHBA-ve dhe tha se këtë gjendje do ta sjellin në rend dite në KS-OKB.
Nga ana tjetër, Ndihmës Përfaqësuesi i Përhershëm i Britanisë në OKB, Jonathan Allen, tha se DEASH-i ka humbur 98 për qind të territoreve që kontrollonte dhe se mbi 7,7 milionë njerëz në Irak dhe Siri janë shpëtuar nga organizata terroriste.
Allen theksoi se DEASH-i është shpartalluar dhe dobësuar, por se qelitë e organizatës ende vazhdojnë të përbëjnë kërcënim për gjithë botën. Sipas tij, është e nevojshme rritja e përpjekjeve për parandalimin e keqpërdorimit të internetit nga ana e terroristëve.