Diyar Güldoğan
23 Tetor 2019•Përditësim: 24 Tetor 2019
Ministrat e mbrojtjes të vendeve të NATO-s do të diskutojnë çështjet kryesore, duke përfshirë misionet dhe operacionet, në një takim dyditor në Bruksel që fillon të enjten, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, raporton Anadolu Agency (AA).
"Ne do të diskutojmë situatën në Sirinë verilindore. Unë mirëpres uljen e konsiderueshme të dhunës pas deklaratës së përbashkët të Turqisë dhe SHBA-së. Është e rëndësishme që të gjitha forcat në terren të veprojnë me vetëpërmbajtje dhe me respektim të plotë të ligjit ndërkombëtar humanitar. Zhvillimet e fundit theksojnë nevojën urgjente për zgjidhje politike", u tha Stoltenberg përfaqësuesve të mediave.
Ai shtoi se NATO luan një rol të rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit dhe se ministrat gjithashtu do të diskutojnë misionin e trajnimit të Aleancës në Irak.
"Ne do përsërisim përkushtimin tonë për misionin në Afganistan, i cili garanton që shteti të mos shndërrohet edhe një herë në strehë të sigurt për terroristët ndërkombëtarë", shtoi ai.
Shefi i NATO-s tha se miinstrat gjithashtu do të diskutojnë kundërpërgjigjen e NATO-s ndaj kërcënimeve hibride.
"Aleatët duhet të bëjnë një vlerësim të plotë të rreziqeve ndaj sistemeve të komunikimit që ndërlidhen me kërcënimet në internet, si dhe pasojat e pronësisë së huaj, kontrollit ose investimeve të drejtpërdrejta", shtoi ai.