Ekip
22 Janar 2020•Përditësim: 22 Janar 2020
Ministri i ri i Financave të Libanit, Ghazi Wazni ka paralajmëruar se kriza aktuale financiare dhe monetare e vendit është “e pashembullt”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një intervistë për televizionin libanez “Al-Jadeed TV”, disa orë pas emërimit të tij si ministër, Wazni tha se “tregut të brendshëm i duhen përpjekje të brendshme dhe të jashtme për të tejkaluar krizën, përndryshe ajo do të çojë në falimentim”.
Wazni theksoi nevojën për të marrë mbështetje urgjente nga jashtë dhe qeveria e tij duhet të vendosë në lidhje me një maturim prej 1.2 miliardë dollarësh Eurobond në muajin mars.
Dje, në një konferencë për media në pallatin presidencial në Bejrut, kryeministri libanez, Hassan Diab, njoftoi formimin e qeverisë së tij të re.
Libani është përfshirë nga protesta që nga tetori i vitit të kaluar. Vendi vuan nga papunësia e lartë, zhvillim të ngadaltë dhe është një vend me raporte më të larta të borxhit në botë, me një borxh i cili sipas Ministrisë së Financave, arrin në 86.2 miliardë dollarë në tremujorin e parë të vitit 2019.
Trazirat e detyruan ish-kryeministrin Saad Hariri të dorëhiqet më 29 tetor në mes të krizës më të rëndë ekonomike të vendit që nga lufta civile 1975-1990.