Ekip
09 Mars 2020•Përditësim: 11 Mars 2020
Kreu i Komisionit të Lartë të të Drejtave të Njeriut në Irak, Fadhel al-Gharawi, ka njoftuar se të paktën 3 protestues irakianë e kanë humbur jetën në përleshjet midis forcave të sigurisë dhe protestuesve në Bagdad, raporton Anadolu Agency (AA).
"Tre protestues u vranë dhe 44 të tjerë u plagosën në përleshjet që ndodhën të dielën në sheshin Al-Khilani midis demonstruesve dhe forcave të sigurisë", tha Al-Gharawi.
Forcat e sigurisë përdorën gaz-bomba, plumba gome dhe municion të vërtetë kundër protestuesve që hidhnin gurë dhe koktejë molotovi ndaj forcave të sigurisë.
Iraku është përfshirë nga protestat masive që nga tetori i vitit të kaluar për shkak të kushteve të vështira të jetesës dhe korrupsionit, duke detyruar kryeministrin Adel Abdul-Mahdi të japë dorëheqje.
Sipas të dhënave të komisionit, më shumë se 500 persona e kanë humbur jetën dhe rreth 17.000 të tjerë janë plagosur në protestat e deritanishme.
Ndërkohë, 25 militantë që i përkisnin organizatës terroriste DEASH humbën jetën në sulmet ajrore të forcave irakiane për luftimin e terrorizmit me mbështetjen e koalicionit ndërkombëtar në provincën Nineveh.