Alaattin Doğru
13 Mars 2020•Përditësim: 13 Mars 2020
Shteti afrikan i Gabonit ka konfirmuar rastin e parë me koronavirusin e ri COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i qeverisë, njëherësh ministër i Komunikimit, Edgard Anicet Mboumbou Miyakou, tha në një deklaratë se testi i një shtetasi 27-vjeçar të Gabonit që ka ardhur nga qyteti Bordeaux i Francës më 8 mars ka rezultuar pozitiv me COVID-19.
Miyakou tha se pacienti është vendosur në karantinë dhe po trajtohet.
Ndërkohë, siç raportohet, 30 persona të tjerë janë duke u mbajtur nën mbikëqyrje me dyshimin për COVID-19.
Krahas Gabonit, raste të koronavirusit në kontinentin e Afrikës deri më tani janë vërejtur edhe në Bregun e Fildishtë, Ganë, Republikën Demokratike të Kongos, Burkina Faso, Egjipt, Algjeri, Nigeri, Senegal, Kamerun, Tunizi, Afrikën e Jugut dhe Marok.
Në mbarë kontinentin janë konfirmuar 135 raste të virusit, prej të cilëve tre kanë përfunduar me vdekje.