Rabia İclal Turan
18 Gusht 2020•Përditësim: 19 Gusht 2020
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe presidenti polak, Andrzej Duda, ranë dakord se Bjellorusia duhet të tregojë respekt të plotë për të drejtat themelore, përfshirë lirinë e fjalës dhe të drejtën e protestës paqësore, transmeton Anadolu Agency (AA).
NATO njoftoi se Stoltenberg dhe Duda zhvilluan një bisedë telefonike, ku diskutuan situatën e fundit në Bjellorusi.
Sipas njoftimit, ata u pajtuan që aleanca të mbetet vigjilente dhe rreptësisht mbrojtëse, e përgatitur për të parandaluar çdo agresion kundër aleatëve të NATO-s.
"NATO nuk paraqet asnjë kërcënim dhe nuk ka ngritje ushtarake në rajon", shkroi Stoltenberg në twitter pas bisedës, duke mohuar pretendimet e qeverisë së Bjellorusisë.
Sot më herët, presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, njoftoi se ka urdhëruar vendosjen e trupave përgjatë kufijve perëndimorë të vendit në gatishmëri të plotë luftarake.
Këtë javë, disa vende të BE-së kundërshtuan rezultatin e zgjedhjeve të fundit presidenciale në Bjellorusi, pasi dhjetëra mijëra demonstrues dolën në rrugë duke kërkuar zgjedhje të reja dhe të ndershme presidenciale.
Lukashenko, i cili ka qeverisur Bjellorusinë për 26 vite, zyrtarisht fitoi zgjedhjet me 80,1 për qind të votave. Rivali i tij kryesor, Svetlana Tikhanovskaya, fitoi vetëm 10,12 për qind të votave.
Lukashenko nuk pranoi të mbajë një votim të ri, duke deklaruar se, "Ju nuk do të më shihni mua duke bërë diçka nën presion".