Mohamad Misto,Ayşe Sümeyra Aydoğdu
19 Nëntor 2016•Përditësim: 20 Nëntor 2016
HALEP (AA) - Për shkak të bombardimeve intensive të cilat vazhdojnë që prej 3 ditësh në qytetin Halep të Sirisë bëhet e ditur se nuk ofrohet shërbim në spitalet që ndodhen nën kontrollin e opozitarëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë të bërë nga Drejtoria Shëndetësore e qytetit e lidhur me qeverinë e përkohshme të formuar nga opozitarët thuhet se "Janë ndaluar shërbimet në të gjitha spitalet për shkak të sulmeve sistematike të forcave të regjimit dhe bombardimeve ruse të cilat në 48 orët e fundit kanë në objektiv lagjet në lindje të Halepit."
Ndër të tjera theksohet se janë përdorur të gjitha armët në inventarin e regjimit të Asadit dhe të Rusisë dhe se në sulme është vendosur qëllimisht në objektiv ifrastruktura e qytetit.
Gjithashtu në deklaratë thuhet se "I bëjmë thirrje të gjitha shteteve që të vihen në veprim menjëherë për të ndaluar krimet e luftës në Halep. Ftojmë të gjithë organizatat shëndetësore dhe punonjësit e tyre që të qëndrojnë në anën e kolegëve të tyre në Halep."
Dhjetëra civilë të vrarë nga sulmet e sotme ajrore në Halep
Zyrtari i Mbrojtjes Civile, Najib al-Ansari tha se avionët kanë kryer sulme mbi disa zona të cilat mbahen nën kontrollin e forcave opozitare.
“Dyzet civilë u vranë dhe rreth 180 të tjerë mbetën të plagosur në këto sulme”, deklaroi për AA, al-Ansari. Ai ka shtuar se pjesëtarët e Mbrojtjes Civile po bëjnë përpjekje për të arritur në zonat e goditura për të nxjerrë të mbijetuarit nga rrënojat.
Gjatë sulmeve të ndërmarra ditën e djeshme në lindje të Halepit u sulmua spitali Ömer bin Abdulaziz që ishte edhe spitali i fundit në shërbim. Si pasojë e bombardimeve intensive të cilat vazhdojnë që prej tre ditësh në Halep kanë humbur jetën të paktën 150 civilë dhe janë plagosur qindra të tjerë.
Në lagjet lindore të Halepit ndodhen 300 mijë civilë të cilët që prej 4 shtatorit qëndrojnë nën rrethimin e forcave të regjimit.