Hakan Çopur
25 Qershor 2019•Përditësim: 26 Qershor 2019
Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump, njoftoi se ndihmësja dhe zëdhënësja e saj Stephanie Grisham do të emërohet në detyrën e zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Jam e lumtur të njoftoj se Stephanie Grisham do të jetë zëdhënese dhe shefe e komunikimeve e Shtëpisë së Bardhë", ka shkruar Melania Trump në Twitter.
"Ajo ka qenë me ne që nga viti 2015. Presidenti Trump dhe unë nuk do të mund të mendonim një person tjetër më të mirë për t'i shërbyer vendit tonë dhe qeverisë", ka shtuar ajo.
Melania Trump tha se Grisham do të vazhdojë të jetë edhe shefja e saj e komunikimeve.
Grisham, në detyrë pranë presidentit amerikan Donald Trump dhe Zonjës së Parë Melania që nga fillimi i fushatës zgjedhore në vitin 2015, do të jetë zëdhënësja e 30-të e Shtëpisë së Bardhë.
Emërimi i saj vjen pasi më herët Sarah Sanders njoftoi se në fund të muajit do të largohet nga detyra.