Ekip
03 Tetor 2015•Përditësim: 04 Tetor 2015
STAMBOLL (AA) – George Sabra, kreu i Këshillit Kombëtar sirian që kundërshton regjimin e Bashar al-Assad, thotë se ndërhyrja shtesë e Rusisë në vendin e shkatërruar nga lufta ka për qëllim minimin e zgjidhjes politike të konfliktit disa vjeçarë.
"Sesioni i 70 i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, i cili u mbajt para disa ditësh në Nju Jork, u zhvillua nën hijen e fillimit të ndërhyrjes ruse në Siri, duke përfshirë edhe vendosjen e trupave ruse në terren", tha Sabra në një deklaratatë ekskluzive për Anadolu Agency.
"Por kjo është edhe një kundër-sulm politik me qëllim që të minojnë zgjidhjen politike të konfliktit bazuar në deklaratën e parë të Gjenevës në qershor 2012, e cila solli edhe deklaratën e dytë të Gjenevës në samitin e vitit të kaluar", shtoi ai.
Të mërkurën, për herë të parë avionët luftarakë rusë goditën objektiva brenda Sirisë. Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme ruse, sulmet kishin në shënjestër pozicionet e kontrolluara nga grupi militant DAESH.
Por sipas Sabra, agresioni rus i kësaj jave në Siri nuk kishte për qëllim degradimin e kapaciteteve ushtarake të DAESH-it, por "ngritjen e regjimit sirian dhe zbehjen e perspektivës për një zgjidhjeje politike e cila nuk përfshin Assadin".
"Rusia dëshiron që regjimi i Asadit të ketë një rol në çfardo zgjidhje të ardhshme politike", tha ai.
"Por komuniteti ndërkombëtar nuk mund ta pranojë këtë," shtoi ai, "sepse vetë Assad është ai i cili vendosi për një zgjidhje ushtarake, ndërsa Irani, aleati kryesor i Assadit, nuk e njohu deklaratën e parë të Gjenevës".
Sabra vazhdoi më tej duke i bërë thirrje pjesëmarrësve në seancën e AP të OKB-së, që të marrin qëndrim kundër ndërhyrjes ushtarake ruse në Siri, por të angazhohen në "ngritjen e një zgjidhje politike të bazuar në deklaratën e parë të Gjenevës të vitit 2012".
- Boshti Rusi-Siri
Rreth arsyeve të aleancës së ngushtë të Moskës me Damaskun, Sabra tha se kjo është bazuar nga faktorët kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare.
Në nivel kombëtar, thot Sabra: Rusia ka gëzuar lidhje shumë të mira historike me popullin sirian.
"Më shumë se 35.000 sirianë janë diplomuar në universitetet ruse", vë në dukje ai. "Ndërsa ka pasur edhe marrëdhënie të shumë të mira ushtarake mes dy vendeve gjatë periudhës së konfliktit me Izraelin".
"Këtu bën pjesë edhe çështja e naftës siriane, si në territorin tokësor sirian ashtu edhe në ujërat e saj territoriale, veprojnë kompani ruse", tha Sabra.
Ndërkohë në nivel rajonal, sipas Sabra: "Irani tani kontrollon pjesë të mëdha të territorit sirian, dhe nga ana tjetër Rusia, e cila është e vetëdishme se regjimi është në një gjendje kolapsi, nuk dëshiron që t'ja lë të gjitha Iranit".
"Në këtë drejtim, Rusia ka vendosur të ndërhyjë me forcë, në mënyrë që të marrë pjesën e saj të tortës në Siri" tha ai.
Sipas mendimit të Sabra, me ardhjen e rusëve kohët e fundit në Lattakia, në Sirinë perëndimore "ideja ka qenë që kryesisht të zvoglohet ndikimi iranian".
- Lufta e re e Ftohtë
Së fundi, në nivel ndërkombëtar, Sabra beson se konflikti në Siri gjithashtu është i lidhur kryesisht me konfliktin e vazhdueshëm të Rusisë me Perëndimin.
"Fillimi i ndërhyrjes ruse në Siri duhet të shihet edhe nga këndi i ngjarjeve të fundit në Ukrainë, të cilat çuan në vendosjen e sanksioneve perëndimore dhe një bojkoti ekonomik ndaj Rusisë", shpjegoi ai, duke shtuar se "kjo është e lidhur me ambiciet e vjetra të epokës sovjetike, që shihet se presidenti Putin dëshiron ti ringjallë, që përsëri të bënë vendin e tij një superfuqi; një forcë që duhet të pyetet për të gjitha çështjet e rajonit".