Murat Demirci
21 prill 2017•Përditësim: 21 prill 2017
NOKOSIA (AA) - Në kuadër të negociatave për çështjen e Qipros, presidenti i Republikës Turke të Qipros Veriore Mustafa Akıncı është takuar me liderin e Qipros Greke Nikos Anastasiadis në Zyrën e Misionit të OKB-së që gjendet në ndërmjetzonë, në një takim që ka zgjatur tre orë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në takim kanë marrë pjesë edhe kryenegociatori turk Özdil Nami, negociatori grek Andreas Mavroyannis dhe përfaqësueseje e posaçme e OKB-së për Qipron, Elizabeth Spehar.
Akıncı, në deklaratën e tij pas takimit, ka theksuar se në kuadër të takimit janë ndalur në dy tema themelore, konkretisht në "pjesëmarrjen efikase në vendimet në qeverisjen federale" dhe "trajtimi i barabartë ndaj qytetarëve turq dhe grek". Ai tha se në kuadër të negociatave, edhe gjatë muajit maj do të zhvillojnë tri takime.
"Nëse vazhdojmë në këto korniza, fatkeqësisht e shoh të vështirë të arrijmë një rezultat. Kjo çështje do të jetë mëse e vështirë pas korrikut. Për këtë arsye, rëndësi të madhe kanë punimet që do të bëjnë negociatorët që nga nesër. Pa i dhënë OKB-së rolin e gjykatësit, do të ishte më efikase që përmes diplomacisë ndërmjetësuese të OKB-së, të kontribuonin në një punim tonin në të cilin do të mund t'i shihnim të plota katër kapitujt e parë", vazhdoi Akıncı.
Presidenti i Republikës Turke të Qipros Veriore theksoi se nëse nuk shfaqen sjellje për ta nxjerrë një tablo të plotë, atëherë do të kalojnë orë të tëra në të njëjtën çështje. "Ndërkaq, kjo gjë nuk na sjell asnjë rezultat", theksoi Akıncı.
Ndryshe, negociatat për Qipron rifilluan më 15 maj të vitit 2015 me ndërmjetësimin e këshilltarit të posaçëm të OKB-së për Qipron, Espen Barth Eide, pas ardhjes në detyrë të presidentit të Qipros Turke Akıncı.
Negociatat përbëhen nga gjashtë kapituj themelorë, siç janë "Ekonomia, Bashkimi Evropian, Pronësia, Ndarja e Qeverisë-Pushtetit, si dhe Territori dhe Siguria dhe Garancitë."