Ekip
28 Shtator 2017•Përditësim: 29 Shtator 2017
BRUKSEL (AA) - Negociatori britanik për Brexit, David Davis, pas raundit të katërt të negociatave në Bruksel, tha se bisedimet me Bashkimin Evropian (BE) mbi daljen e vendit të tij nga blloku po përparojnë, raporton Anadolu Agency (AA).
"Po bëjmë hapa vendimtarë përpara", tha Davis të enjten.
Ai shtoi se është bërë përparim i veçantë në drejtim të sigurimit të të drejtave të qytetarëve që do të preken nga dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja, e cila do të duhet të ndodhë më 29 mars të vitit 2019.
Kreu i ekipit negociues të BE-së, Michel Barnier, nga ana e tij përshëndeti "dinamikën e re të bisedimeve për largimin e Britanisë", por gjithashtu sinjalizoi se në takim "nuk kishte progres të mjaftueshëm për të diskutuar lidhjet e ardhshme".
Barnier theksoi se fjalimi i kryeministres britanike Theresa May javën e kaluar, solli një shtytje të re për negociatat.
Ai shtoi më tej se Britania e Madhe ende nuk ka identifikuar detyrimet financiare që do ti ketë si pjesë e marrëveshjes së "divorcit".