Ekip
28 Shtator 2017•Përditësim: 30 Shtator 2017
BRUKSEL (AA) - Ministri i Punëve të Jashtme i qeverisë rajonale të Katalonjës, Raul Romeva, bëri thirrje për mbështetje nga Bashkimi Evropian (BE) përpara referendumit të pavarësisë së krahinës, që është ndaluar nga Gjykata Kushtetuese e Spanjës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjatë vizitës së tij në Bruksel, Romeva, tha se institucionet e BE-së duhet të "kuptojnë se kjo është një çështje e madhe".
Ministri i Jashtëm i Katalonjës kritikoi Qeverinë e Spanjës për "sulm brutal" ndaj zyrtarëve katalanas për të penguar mbajtjen e referendumit më 1 tetor.
Ai theksoi se nuk priste dhunë sepse, siç tha, "nuk është në ADN të Katalonjës që problemet politike të zgjidhen me dhunë."
Deklaratat e zyrtarit katalanas vijnë një ditë pasi presidenti i krahinës, Carles Puigdemont, akuzoi BE-në se i ka kthyer shpinën Katalonjës në mosmarrëveshjet me qeverinë e Madridit.
Katalonja ka rreth 5.5 milion banorë me të drejtë vote. Sondazhet tregojnë se shumica e banorëve të Katalonjës mbështesin mbajtjen e referendumit, por se janë përafërsisht të barabartë kur bëhet fjalë për pavarësi nga Spanja.