Ekip
09 Nëntor 2016•Përditësim: 09 Nëntor 2016
WASHINGTON (AA) - Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka uruar Donald Trump për zgjedhjen si president të SHBA-ve, duke e quajtur atë "mik i vërtetë i Izraelit", raporton Anadolu Agency (AA).
Netanyahu tha se besonte që dy liderët "do të vazhdojnë të forcojnë aleancën unike mes dy vendeve duke e ngritur në nivelet më të larta se kurrë më parë".
Nga ana tjetër, një zyrtar i lartë palestinez, tha se nuk pret që SHBA-të nën presidentin e ri Donald Trump të ndryshojnë politikën ndaj konfliktit izraelito-palestinez.
Saeb Erekat, këshilltari i presidentit palestinez Mahmoud Abbas të mërkurën, tha se të dyja palët, si Republikanët dhe Demokratët, janë të përkushtuar për zgjidhjen e konfliktit mes Palestinës dhe Izraelit.
Ndërkohë përmes një deklarate është pronocuar edhe Abass, i cili uroi Trumpin për zgjedhjen e tij si President i ri i SHBA-ve, dhe dëshiroi që në mandatin e tij "të arrihet një zgjidhje paqësore".
Palestinezët duan të krijojnë një shtet në Rripin e Gazës dhe Jerusalemin Lindor, në tokën të cilën Izraeli e pushtoi në vitin 1967. Mosmarrëveshjet mes Abasit dhe udhëheqësisë izraelite kanë çuar në faktin se ende nuk ka asnjë marrëveshje për kufirin.
Erekat në deklaratën e tij theksoi se zgjidhja e dy shteteve "është në interesin kombëtar të SHBA-ve, dhe mendoj se kjo nuk do të ndryshojë me administratën e re".
Megjithatë, Trump ka propozuar që Ambasada Amerikane në Izrael, të zhvendoset në Jerusalem, edhe pse vendi i tij nuk e njeh aneksimin izraelit të pjesëve të qytetit të lashtë.