Ali Semerci
11 Dhjetor 2020•Përditësim: 11 Dhjetor 2020
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu shprehu kënaqësinë e tij pas njoftimit të qeverisë marokene se “shumë shpejt” do të vendosen marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe falënderoi mbretin e vendit Mohammed VI, raporton Anadolu Agency (AA).
"Falënderoj Mbretin e Marokut, Lartmadhërinë e Tij Mohammed VI, për dëshirën e tij për të bërë paqe me Izraelin. Paqja me Marokun do të jetë shumë e ngrohtë", tha Netanyahu në një konferencë shtypi pak pasi Maroku njoftoi se “së shpejti” do të vendosë marrëdhëniet me Izraelin.
"Unë gjithmonë kam besuar në paqe. Falënderoj Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për atë që bëri për Izraelin dhe ne nuk do ta harrojmë atë”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, në një deklaratë me shkrim në llogarinë në Twitter, Ministria e Jashtme e Izraelit shkroi: "Moment historik. Izraeli dhe Maroku ranë dakord të normalizojnë marrëdhëniet midis tyre”.
Deklarata gjithashtu thekson se Maroku është vendi i gjashtë që normalizon marrëdhëniet me Izraelin, pas Egjiptit, Jordanisë, Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Bahreinit dhe Sudanit.
Më herët, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se Maroku dhe Izraeli kanë rënë dakord për “marrëdhënie të plota diplomatike”.
Ndërkaq, Mbreti Mohammed VI tha se marrëdhëniet do të vendosen “së shpejti”.