Elena Teslova
29 Janar 2020•Përditësim: 29 Janar 2020
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, nesër do të qëndrojë për vizitë në Moskë, ku do të pritet në takim nga presidenti rus Vladimir Putin, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Më 30 janar në Moskë, presidenti rus Vladimir Putin do të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili do të realizojë një vizitë të shkurtër pune në Rusi”, tha Zyra për shtyp e Kremlinit.
Sipas raporteve të mediave, Putin dhe Netanyahu do të diskutojnë zgjidhjen e propozuar nga SHBA-të për konfliktin palestinezo-izraelit, gjegësisht të ashtuquajturën “Marrëveshja e Shekullit”.
Dje, duke folur në një konferencë për media në Moskë, ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergey Lavrov, ishte skeptik lidhur me marrëveshjen. Ai tha se përpjekjet e SHBA-ve “për të gjetur zgjidhje radikale” për problemet ndërkombëtare nuk sjellin ndonjë zhvillim pozitiv.
Duke iu referuar propozimit të SHBA-ve, Lavrov tha se gjëja më e rëndësishme do të jetë të zbulohen qëndrimet e palëve, përfshirë mbi të gjitha palestinezët, pasi bëhet fjalë për krjimin e një shteti palestinez.
“Dhe, sigurisht, ne do të duhet të kuptojmë reagimin e miqve arabë të Palestinës, Lidhjes Arabe, duke pasur parasysh se është nisma arabe e paqes që është aprovuar nga komuniteti botëror si pjesë integrale e zgjidhjes së problemit të dy shteteve, Izraelit dhe Palestinës”, tha Lavrov.