Ecenur Çolak
23 Janar 2017•Përditësim: 23 Janar 2017
ANKARA (AA) – Turqia beson se hapat të cilat do të mund të miratohen në takimin në Astana, Kazakistan, do të kontribuojnë në procesin politik që zhvillohet në Gjenevë, raporton Anadolu Agency (AA).
Burimet diplomatike konfirmuan se delegacioni turk në pjesën e parë të takimit theksoi rëndësinë e pranisë së përfaqësuesve të opozitës në bisedimet në Astana.
“Turqia që nga fillimi flet sesi kriza siriane nuk ka zgjidhje ushtarake. Nevojitet fokusim për forcimin e armëpushimit të vendosur më 30 dhjetor. Dëshirojmë që takimi në Astana të jetë një rast për marrjen e hapave në kuadër të kësaj dhe t’i jepet fund shkeljes së armëpushimit. Së bashku me armëpushimin është me rëndësi që të vendoset edhe qarkullimi i ndihmës humanitare”, bëhet e ditur nga burimet diplomatike.
Burimet theksuan se është me rëndësi që të takohen delegacionet e regjimit të presidentit sirian Bashar Al-Assad dhe përfaqësuesit e opozitës.
Me nismë të Turqisë dhe Rusisë sot në Astana filloi takimi me qëllim ndalimin e luftës në Siri, ku negociojnë delegacione të grupeve ushtarake të opozitës, delegacioni i regjimit sirian, si dhe delegacionet e Turqisë, Rusisë, Iranit dhe SHBA-ve.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka deklaruar se Përfaqësuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Staffan de Mistura me ndihmën edhe të diplomatëve turq do të takohet në Astana me përfaqësuesit e grupeve opozitare.
Në konferencë për media, Lavrov ka shpalosur vlerësimet e tij mbi takimin që po mbahet në Astana me pjesëmarrjen e opozitës, regjimit të Bashar AL Asadit, Rusisë, Iranit dhe SHBA-ve me qëllim të ndalimit të luftimeve në Siri.
Lavrov u shpreh se Mistura, i cili ndodhet në Astana për takime, do të takohet me përfaqësuesit e opozitës ushtarake me ndihmën edhe të diplomatëve turq, duke shtuar se edhe Rusia do të japë kontributin e saj në këtë takim.
Kreu i delegacionit të opozitës që merr pjesë në bisedimet për Sirinë në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, Muhammed Allush, tha se "Nuk do të kalojmë në hapin e dytë, nëse nuk arrihet armëpushim".
Allush në deklaratën e tij pas seancës së parë në Astana, theksoi se para se të flitet për zgjidhje politike duhet përforcuar armëpushimi.
Delegacionin e opozitës siriane në takim e përfaqësojnë 14 anëtarë që përbëjnë delegacionin ushtarak të grupeve opozitare që luftojnë në Siri.