Cüneyt Karadağ
09 Korrik 2017•Përditësim: 10 Korrik 2017
BERLIN (AA) - Bëhet e ditur se në ngjarjet e dhunshme gjatë Samitit të Liderëve G20 të mbajtur në Hamburg të Gjermanisë, janë plagosur 476 policë, ndërsa janë arrestuar 411 persona, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryebashkiaku i Hamburgut, Olaf Scholz, senatori i Punëve të Brendshme të Hamburgut, Andy Grote, drejtori i Policisë së Hamburgut, Ralf Martin Meyer dhe shefi i Policisë i përgjegjës për sigurinë e G20, Hartmut Dudde, në një konferencë për mediat kanë folur për "bilancin e G20."
Shefi i Policisë, Dudde, theksoi se në ngjarjet e ndodhur mes 22 qershorit dhe 9 korrikut janë plagosur 476 policë, janë marrë në shoqërim 411 persona, ndërsa janë arrestuar 37 të tjerë. Dudde u shpreh se në Hamburg asnjëherë nuk kanë ndodhur ngjarje të përmasave të tilla.
Ndërsa Scholz duke shprehur keqardhjen e tij për ngjarjet që kanë ndodhur, falënderoi forcat e sigurisë të cilët "kanë shërbyer besnikërisht." "Detyra për garantimin e sigurisë në Hamburg, ishte detyra më e madhe e qytetit, ndoshta edhe të Gjermanisë që nga Lufta e Dytë Botërore", tha Scholz.
Ai rikujtoi se së bashku me presidentin e vendit, Frank-Walter Steinmeier, kanë vizituar policët të plagosur në spitalet ku trajtohen.
Scholz duke tërhequr vëmendjen se protestat në Hamburg kanë shkaktuar një skenë e keqe, tha se ka biseduar me kancelaren Angela Merkel për kompensimin e humbjeve të personave që iu janë dëmtuar automjetet dhe janë plaçkitur vendet e punës, për shkak të protestave dhe se do të sigurohet urgjentisht një zgjidhje për këtë.
Scholz duke treguar se ngjarjet kanë tronditur atë dhe shumë persona të tjerë, tha se "Kjo nuk është e pranueshme. Nuk mund të lejohet një gjendje e këtillë të ndodhë përsëri në Hamburg".
Ndërkohë drejtori i Policisë së Hamburgut, Ralf Meyer, tha se kanë bërë 1.5 vjet përgatitje për Samitin e Liderëve G20 dhe se kanë përfituar nga të gjitha mundësitë, gjithashtu edhe teknike në Gjermani për të ofruar dhe garantuar sigurinë.
Ai theksoi se edhe pse më shumë se 20 mijë policë ishin në detyrë në Hamburg përsëri kishin ndodhur ngjarje të padëshirueshme.
Meyer duke u përgjigjur kritikave se "Forcat e sigurisë kanë bërë gabime taktike dhe nuk kanë intervenuar mjaftueshëm për ngjarjet", tha se "Kishim prova për pritë. Kishte substanca të dëmshme që ishin hedhur mbi shokët nga kulmet. Edhe ne për të mos rrezikuar jetën e kolegëve ishim të detyruar të presim para se të intervenojmë".
Gjithashtu edhe Andy Grote, tha se nuk kanë pritur që të ndodhin ngjarjet e dhunshme në Hamburg. Ai tha se mund të kuptojë kritikat e qytetarëve në lidhje me atë se policia është vonuar dhe ka qenë e pamjaftueshme në intervenim ndaj ngjarjeve.