Fatma Esma Arslan
24 Tetor 2016•Përditësim: 25 Tetor 2016
CALAIS (AA) – Ka nisur evakuimi i kampit të refugjatëve i njohur ndryshe si "Xhungël" që ndodhet në qytetin Calais të Francës, raporton Anadolu Agency (AA).
Dalëngadalë ka filluar zbrazja e kampit "Xhungël" në të cilin afërsisht 7-8 mijë refugjatë e përdornin si rrugë tranzitore për të kaluar në Britani të Madhe.
Qindra refugjatë të cilët ende pa u zbardhur dita filluan të braktisin tendat me valixhe në dorë, formuan radhë të gjata në hyrjen e qendrës së përkohshme të refugjatëve në afërsi të kampit.
Në ditën e parë të evakuimit, kampin po e braktisin refugjatë nga Sudani dhe Eritrea, ndërkohë që njoftohet se refugjatët afganë do të fillojnë të largohen nga dita e nesërme në mënyrë që të mos shkaktohet ndonjë zënkë.
Prefektja e Pas-de-Calais Fabienne Buccio, e cila ndoqi evakuimin nga vendi, tha se ka kohë të gjatë që kanë bërë përgatitje për evakuim dhe se tani çdo gjë po ecën në rregull.
Buccio tha se gjatë disa ditëve të fundit ka marrë informata se shumë refugjatë do ta braktisnin kampin dhe se rrjedhimisht ajo vetë që nga orët e para të mëngjesit ka pritur në qendrën e refugjatëve.
Duke folur për verifikimin e moshës së refugjatëve nën 18 vjeç që nuk kanë prindër, çështje kjo që zuri vend në shtypin britanik, Buccio tha se Franca po punon me shoqatat që i njohin refugjatët në lidhje me verifikimin e moshës.
“Nuk kemi ndonjë zbatim konkret për verifikimin e moshës së të rinjve nën 18 vjeç. Në këtë fazë, kemi biseduar me shoqata që i njohin nga afër refugjatët dhe jemi takuar me fëmijët. Mjafton që të bindemi në lidhje me moshën. Jashtë kësaj, nuk do të bëhet asnjë test”, theksoi Buccio.