Erkan Avci
08 Nëntor 2016•Përditësim: 08 Nëntor 2016
WASHINGTON (AA) – Qytetarët amerikanë sot kanë nisur votimin për zgjedhjen e presidentit të ri pas fushatës parazgjedhore e cila zgjati me muaj. Se kush do të jetë presidenti i 45-të i SHBA-ve, ish Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton nga Partia Demokratike apo kandidati nga radhët e Partisë Republikane Donald Trump, do të mësohet në orët e hershme të mëngjesit të nesërm, raporton Anadolu Agency (AA).
Krahas zgjedhjes së presidentit, populli do të votojë edhe për Kongresin. Në kuadër të Kongresit, populli sot do të bëjë zgjedhjen për Dhomën e Përfaqësuesve me 435 ulëse në përgjithësi, për një të tretën e Senatit me 100 ulëse dhe për disa guvernatorë.
Për shkak të zonave të ndryshme kohore, fillimi dhe mbarimi i procedurave të votimit ndryshojnë varësisht nga zona kohore e shteteve. Nëse merret parasysh zona kohore e pjesës lindore, votimi në shtetet lindore filloi në orën 6:00 sipas kohës lokale.
Votuesit në 37 shtete dhe Washington që nga 26 tetori kanë shfrytëzuar procedurën e votimit të hershëm ose votimit të justifikuar. Megjithatë, pjesa më e madhe e popullit do të votojë gjatë ditës së sotme.
Theksohet se afërsisht 40 milionë votues kanë dhënë votën para 8 nëntorit gjatë periudhës së votimit të hershëm. Nga ana tjetër, nuk pritet që numri i pjesëmarrësve në votim të jetë i lartë. Të drejtë vote kanë 230 milionë votues, ndërkohë që parashihet që votën do ta japin 100 milionë persona.