Ivana Ramadanova
15 Mars 2016•Përditësim: 15 Mars 2016
SHKUP (АА) - Gjatë sulmit terrorist në qytetin turistik “Grand Basam” në Bregun e Fildishtë, jetën e ka humbur shtetasja e Maqedonisë, Anita Andreevska, bëjnë të ditur nga Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) të Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Lidhur me informacionet e marra nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Vullnetarë, shtetasja maqedonase ka humbur jetën më 13 mars të këtij viti në qytetin “Grand Basam”, ndërsa gjatë sulmit jetën e kanë humbur edhe dy pjestarë të ushtrisë dhe 14 civilë.
Sipas kumtesës, MPJ-ja sot realizoi takim me familjen e të ndjerës të cilës i shprehën ngushëllime për humbjen dhe siguruan se do t’i ndërmarrin të gjitha aktivitetet e nevojshme në pajtim me dispozitat ligjore për bartjen e kufomës së të ndjerës në shtet.
Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë Nikolla Poposki dërgoi telegram ngushëllimi deri tek homologu i tij nga Bregu i Fildishtë Abdalah Albert Tojkus Mabri në të cilën shprehu keqardhje për të gjithë viktimat e aktit të tmerrshëm.
Ai theksoi se Republika e Maqedonisë e dënon këtë akt dhe shprehu mbështetjen dhe solidaritetin e tij të plotë ndaj të gjitha vendeve që përballen me sulme terroriste.
"Maqedonia mbetet edhe më tej e përkushtuar në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, të cilat janë kërcënime të përbashkëta për mbarë botën dhe ndaj të cilave duhet që mbarë bashkësia ndërkombëtare t’iu kundërvihet", thuhet në kumtesën e MPJ-së.
Të paktën 14 persona kanë mbetur të vrarë pas një sulmi nga persona të armatosur në Bregun e Fildishtë. Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 mars në një plazh të frekuentuar në qytetin Grand Bassam të Bregut të Fildishtë.