27 Nëntor 2018•Përditësim: 27 Nëntor 2018
STAMBOLL (AA) - ELİF SELİN ÇALIK MUHASİLOVİÇ
Lauretja e Çmimit Nobel për Paqe, Tawakkol Karman, tha se disa shtete kanë vendosur në plan të parë interesat e tyre para të drejtave të njeriut në rastin e vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi, por tha se profesioni i tij nuk ka lejuar që kjo ngjarje të fshihet.
Duke folur për Anadolu Agency (AA) në lidhje rastin Khashoggi, aktivistja jemenase, Karman, e cilësoi vrasjen e gazetarit arab si një "mizori të paprecedent".
"Në fakt, sa më shumë bëheshin përpjekje për ta mbuluar vrasjen e Jamalit, aq më shumë ngjallej një zemërim global. Mendoni, një gazetar, nuk ka nevojë të jetë kolumnist i Washington Post, mund të jetë edhe gazetar lokal, hyn në konsullatë të një vendi dhe nuk del gjallë. A mund ta fshihni këtë vrasje?", tha Karman.
"Fillimisht, profesioni i këtij njeriu nuk lejon ta fshehim këtë gjendje. Në fund të fundit, tentativat për fshehjen e ngjarjes dëmtuan imazhin e një lideri që e prezantoi veten si një reformist i gashëm për ta modernizuar shoqërinë saudite", shtoi nobelistja jemenase.
Ajo tha se disa vende vendosën në plan të parë interesat e tyre në vend të të drejtave të njeriut dhe realizuan "shfaqje besnikërie" ndaj autorëve të vrasjes së Khashoggit.
"Arabia Saudite është klienti më i vlefshëm i SHBA-ve, prodhuesit më të madh të naftës në OPEC, në industrinë e armëve. Mendoj se nuk ka nevojë të shpjegohet më shumë. Fatkeqësisht, këtu shfaqet logjika se nëse keni fuqi financiare, ju mund të vrisni kë të doni", u shpreh Karman.
Karman shtoi se Turqia e ka menaxhuar me sukses procesin që vijoi pas vrasjes së gazetarit.
"Nuk është rastësi që kjo mizori u realizua në Turqi. Por, në këtë proces, Turqia hapi perden e fshehtësive prapa ngjarjes me transparencë maksimale", tha Karman.