Hamdi Yıldız
13 Prill 2022•Përditësim: 13 Prill 2022
Një palestinez është plagosur në incidentet që shpërthyen gjatë ndërhyrjes së ushtarëve izraelitë në rajonin e pushtuar të Bregut Perëndimor të Palestinës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve Wafa, gjatë incidenteve mes forcave izraelite të vendosura në një pikë kontrolli në qytetin e Hebronit dhe palestinezëve, ushtarët izraelitë, të cilët u ngjitën në çatinë e dyqaneve përreth, hapën zjarr mbi turmën me plumba gome dhe përdorën gaz lotsjellës.
Një adoleshent palestinez u plagos nga një plumb gome kur ushtarët izraelitë hapën zjarr, ndërkohë të rinjtë palestinezë në vendbanimin Senjal, në veri të Ramallahut, u përpoqën të pengonin ushtarët izraelitë të bastisnin zonën.
Në lajme tërhoqi vëmendje fakti se ushtarët izraelitë bastisën një shtëpi palestineze në qytet dhe konfiskuan regjistrimet e kamerës në shtëpi.
Organizata e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze dje në njoftim tha se së pari u ndihmuan 51 palestinezë në incidentet mes ushtarëve izraelitë dhe demonstruesve palestinezë në Universitetin Kadoorie në veri të Bregut Perëndimor, dy prej të cilëve u qëlluan me plumba të vërtetë.
Që nga fillimi i Ramazanit, në territoret palestineze janë përshkallëzuar konfliktet mes forcave izraelite dhe palestinezëve.