Yusuf Özcan
13 Prill 2022•Përditësim: 13 Prill 2022
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron pretendon se në Evropë do të "kthehet nacionalizmi dhe lufta" nëse ekstremistja e krahut të djathtë Marine Le Pen zgjidhet presidente, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një tubim që zhvilloi në qytetin Strasburg të vendit, Macron theksoi se lufta e tij nuk është vetëm për Francën por në të njëjtën kohë është edhe për Evropën.
"Projekti i të djathtës ekstreme është dalja nga Bashkimi Evropian. Nëse Le Pen zgjidhet presidente në Evropë do të kthehet nacionalizmi dhe lufta", tha Macron.
Ai potencoi se në Evropë për mijëra vjet janë përjetuar luftëra, se Evropa është ndërtuar me luftëra të brendshme dhe se për shkak të luftërave mes nacionalistëve është përballur shumë herë me rrezikun e rënies.
Macron tha se ashtu si në Hungari, Le Pen dëmton gjithnjë e më shumë ligjin. Ai shtoi se janë ndërtuar sërish ëndrrat perandorake. "Kjo sot është ëndrra e Rusisë dhe e të tjerëve. Disa duan të bindin se zgjidhja për Francën është dalja nga BE-ja sepse dëshirojnë të luftojnë me evropianët e tjerë", tha presidenti francez.
Macron vuri në dukje se vetëm me Evropën mund të punohet për paqe dhe se Evropa i mbron ata nga krizat dhe lufta.
Duke reaguar ndaj deklaratës së Le Pen e cila ka thënë se nëse zgjidhet presidente Franca nuk do të jetë palë e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), Macron shpjegoi rëndësinë e GJEDNJ-së dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).
Macron dhe Le Pen do të garojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen më 24 prill.