Ayhan Şimşek
13 Korrik 2016•Përditësim: 13 Korrik 2016
BERLIN (AA) - Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Filippo Grandi, ka deklaruar se shumë vende iu kanë kthyer shpinën refugjatëve dhe se 8 vende kanë pritur gjysmën e refugjatëve në të gjithë botën, raporton Anadolu Agency (AA).
Në kryesimin e ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier në Berlin u mbajt takimi me temë rreth krizës së refugjatëve i cili mblodhi së bashku përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare.
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë Filippo Grandi i cili ka folur në mbledhjen e mbajtur në rezidencën zyrtare Villa Borsig të Ministrisë së Jashtme, ka lëshuar kritika për ndihmën e pamjaftueshme të shteteve për refugjatët.
Pasi ka vënë në dukje se të gjitha vendet duhet të marrin më shumë përgjegjësi Grandi ka theksuar se "Tetë vende kanë pritur gjysmën e refugjatëve në të gjithë botën. Tetë vende donatore kryejnë 70-80 përqind të të gjitha ndihmave. Kështu nuk mund të vazhdojmë. Kjo duhet të përhapet në mënyrë më të drejtë. Sepse është një rast, një problem, një çështje që i intereson të gjithë botës."
- "Ksenofobia është një kërcënim për vlerat e BE-së"
Ndërsa Përfaqësuesi i Posaçëm i OKB-së për Migrim Ndërkombëtar, Peter Sutherland, duke paralajmëruar për ksenofobinë dhe veprimet kundër refugjateve në vendet evropiane, ka theksuar se këto veprime përbëjnë kërcënim kundër vlerave themelore të OKB-së dhe Bashkimit Europian.