SHKUP/TIRANË/PRISHTINË (AA) – Në Shkup, Tiranë dhe Prishtinë sindikatat që luftojnë për të drejtat e punëtorëve kanë organizuar marshe protestuese për të shënuar 1 Majin, Ditën Ndërkombëtare të Punës, duke kërkuar nga qeveritë sigurinë dhe respektimin e të drejtave të punonjësve në punë, raporton Anadolu Agency (AA).
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM), të mbështetur nga sindikata të ndryshme për të drejtat e punëtorëve, të cilët së bashku u tubuan para ndërtesës së LSM-së, duke kaluar nga Kuvendi i Maqedonisë ku dhe lexuan disa nga kërkesat e tyre, marshuan nëpër rrugët e qytetit të Shkupit, ndërsa përfunduan marshin para godinës së Qeverisë së Maqedonisë.
Ata me moton “Rrugët janë të ndryshme, qëllimi është një!”, ndër disa kërkesa të parashtruara ndaj qeverisë theksuan edhe nevojën për një ligj më të mirë për marrëdhëniet e punës, si dhe marrëveshje më të mirë të përgjithshme kolektive për sektorin privat dhe atë publik.

“Të duam dhe të besojmë se këto njerëz, përfaqësues të Kuvendit dhe Qeverisë, do t’i kushtojnë vëmendje klasës punëtore, sepse përmes neve punëtorëve realizohen të gjitha përfitimet e këtij vendi. Ndodhemi këtu të tregojmë se sa të shumtë dhe të përkushtuar jemi. Në emër të solidaritetit t’u urojmë për të vlerësuar punën e punëtorit dhe për të siguruar punë dinjitoze për të gjithë”, tha Ivan Petrushevski nga Sindikata e Ndërtimtarisë së Maqedonisë, para godinës së Shtëpisë Ligjvënëse.
Dita Ndërkombëtare e Punës është festë shtetërore në shumë vende të botës. Në Maqedoni deri në vitin 2006 ditë jo pune ishte 1 dhe 2 maj, ndërsa nga viti 2007 ditë jo pune është shpallur vetëm 1 maj.
Protestë dhe panair në Shqipëri me rastin e 1 Majit
Në organizim të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH), nën sloganin “Ndal nëpërkëmbjes së punëtorëve”, minatorët e ardhur nga e gjithë Shqipëria protestuan në sheshin pranë “Ushtarit të Panjohur” në Tiranë për kushtet e punës dhe rritjen e pagave.
Protesta është organizuar me qëllim sensibilizimin e institucioneve për më shumë vëmendje për kërkesat e punonjësve për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Kryetari i Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj, i bëri thirrje Qeverisë që të miratojë statusin e minatorit për punonjësit e nëntokës, sipas tij, si një e drejtës legjitime e kësaj shtrese të shoqërisë.
“Në ditën e solidaritetit ndërkombëtar të punëtorëve protestojmë për të çuar lëvizjen sindikale për të tërhequr vëmendjen e shtetit dhe për një integrim social dhe shoqëror, duke respektuar liritë dhe të drejtat tona, jo vetëm në formalitet, por ne kërkojmë që të drejtat tona të bëhen realitet”, tha Nikollaj.

Nga ana tjetër me rastin e 1 Majit, në Tiranë është hapur në sheshin "Skënderbeu" Panairi Kombëtar i Punës 2018, ku morën pjesë kompani dhe biznese të njohura në vend. Panairi njëditor organizohet nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit i Shqipërisë, ku kompani të ndryshme kanë paraqitur ofertat e tyre të punësimit.
Stendat e panairit u vizituan nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili theksoi se vende pune ka në ndërmarrjet private, por ajo që nevojitet janë profesionistët dhe dorëzimi i kërkesave pranë Zyrave të Punës, të cilat bëjnë ndërlidhjen me bizneset.
Në Prishtinë kërkohet që Qeveria të zbatojë ligjin për të drejtat e tyre
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) poashtu ka organizuar protestë në Prishtinë për Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve të cilës iu janë bashkangjitur edhe përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile.
Punëtorët të cilët janë mbledhur në sheshin "Zahir Pajaziti" të Prishtinës me parulla me mbishkrime "Duam ngritje të pagave dhe ne e duam jetën", "Duam siguri dhe shëndet në punë" dhe "Duam sigurime shëndetësore", marshuan deri para Teatrit Kombëtar.
Kreu i BSPK-së, Avni Ajdini, theksoi se punëtorët kërkojnë që Qeveria e Kosovës të zbatojë ligjin për të drejtat e tyre. Ai tha se punëtorët në Kosovë kërkojnë siguri në punë, në shëndet si dhe respektim të kontratave kolektive, kontrata dhe ato individuale për të cilat tha se ka shkelje masive në sektorin privat.

"Ne sot jemi së bashku të gjitha federatat sindikale të gjithë punëtorët. Pavarësisht asaj se nuk ka një numër të madh, mesazhi ynë është ‘Të zbatohet ligji, të rritet paga minimale në 250 euro, të zbritet skema pensionale në 10 vite, të njihet përvoja e punës e viteve 90-të’ “, porositi Ajdini.
Nëse nuk realizohen kërkesat e punëtorëve, Ajdini paralajmëroi se nuk do ta presin 1 majin, Ditën Ndërkombëtare të Punëonjësve, por do të organizojnë protesta edhe më masive.
Kryetarja e rrjetit të gruas së BSPK-së, Shukrie Rexhepi, para protestuesve u shpreh se gratë punëtore kërkojnë barazi reale gjinore, përfaqësim 50/50 në punë dhe paga të barabarta për burrat dhe gratë. Ajo po ashtu kërkoi që gratë të vendosen në pozita vendimmarrëse në nivel të barabartë me burrat dhe ndalimin e ngacmimeve seksuale dhe dhunës në vendin e punës.
Edhe Kushtrim Mehmeti nga Organizata Joqeveritare "Beyond the Ëalls" foli për instalacionin e përgatitur për ditën e 1 Majit. Instalacioni i cili është përgatitur para Sheshit "Skënderbeu", simbolizon kufomat e pesë punëtorëve të ndërtimtarisë të cilët kanë humbur jetën në vendet e punës në pesë muajt e fundit.
"Instalacioni titullohet 'Martirët e Ndërtesave'. Ai ka të bëjë me të gjithë punëtorët që po vdesin në punë. 24 vdekje brenda një periudhe të shkurtër 24 muajshe tregon që për çdo muaj vritet një punëtor", tha Mehmeti duke se kjo është një gjendje alarmante për shoqërinë.
Ndryshe, 1 maji - Dita e Punës festohet në shenjë respekti ndaj viktimave nga greva që u mbajt nga 1 deri më 4 maj të vitit 1886 në Çikago kur demonstruesit kërkuan vendosjen e orarit të punës ditore prej tetë orë. Organizatorët e grevës u nxorën para gjykatës, ndërsa katër prej tyre u ekzekutuan. Tre vite më vonë pas ngjarjeve në Çikago, në Kongresin e parë të Internacionales së parë që u mbajt në Paris në vitin 1889, është vendosur që çdo vit më 1 maj, në kujtim të punonjësve të Çikagos, të mbahen demonstrata masive.