Hasan Esen
12 Korrik 2016•Përditësim: 13 Korrik 2016
BRUKSEL (AA) – Parlamenti Evropian (PE) ka hapur ekspozitë ku gjenden fotografi në të cilat shfaqet lideri i organizatës terroriste PKK, Abdullah Ocalan, si dhe terroristët pjesëtarë të zgjatimit të PKK-së në Siri, PYD, raporton Anadolu Agency (AA).
Fotografitë në ekspozitën e cila u hap në mikpritjen e deputetit të Grupit Social-Demokrat në PE Josef Weidenholzer, u shkrepën nga austriaku Thomas Schmidinger.

Ekspozita e cila do të jetë e hapur për një javë, do të përfshijë fotografi të terroristëve të zgjatimeve të PKK-së, PYD, YPJ dhe YPG të shkrepura në veri të Sirisë. Ndërkaq, në shënimet poshtë fotografive, disa vende në veri të Sirisë përkufizohen si “kantone”.
Në një fotografi të realizuar në vitin 2013, shihet posteri i liderit të PKK-së Abdullah Ocalan. Gjithashtu edhe në një fotografi nga kongresi i PYD-së në vitin 2014 gjendet fotografia e liderit të organizatës terroriste.
- “Nuk duhet lejuar leckat e PKK-së”
Në PE, e cila kërkonte që Turqia ta ndryshojë ligjin për luftën kundër terrorit në kuadër të kritereve për liberalizimin e vizave, më parë ishin varur copa pëlhure të cilat simbolizonin organizatën terroriste YPG.
Ministri i Jashtëm i Turqisë Mevlut Çavushoglu në vizitën që e realizoi më 30 qershor në Bruksel kishte thënë: “Duhet të qëndrojmë larg standardeve të dyfishta për lirinë e shprehjes në lidhje me terroristët. Nëse sot në Parlamentin Evropian nuk lejohen leckat e DAESH-it, atëherë nuk duhet lejuar edhe leckat e PKK-së. Ashtu sikurse nuk lejohet që DAESH në Evropë të kryejë trafikim me lëndë narkotike dhe trafikim me njerëz, ashtu nuk duhen shpërfillur aktivitetet e këtilla të PKK-së. Fatkeqësisht po shohim standarde të dyfishta sa i përket kësaj çështjeje. Në këtë pikë duhet të jemi të qartë dhe parimorë.”
- Prania e PKK-së në Evropë
Më 18 mars para samitit Turqi-BE, Belgjika kishte lejuar që PKK të vendosë tendë prapa Këshillit Evropian, aty ku po mbahej samiti, gjë që kishte nxitur reagime nga Turqia.
Belgjika është njëri nga vendet kur organizatat terroriste PKK dhe DHKP-C zhvillojnë aktivitetet më intensive. Gjithashtu, kanalet televizive të PKK-së bëjnë transmetime nga vendet ku jetojnë liderët e organizatës. Ndaj organizatës terroriste PKK, e cila i vazhdon aktivitetet përmes shoqatave të themeluara, për herë të fundit operacion është kryer në vitin 2010.
Krahas Belgjikës, organizata terroriste PKK zhvillon aktivitete edhe në vende të tjera të BE-së, me në krye Gjermaninë, Austrinë, Danimarkën, Francën, Holandën, Suedinë dhe Greqinë. Edhe pse gjendet në listën e BE-së të organizatave terroriste, mosveprimi kundër kësaj organizate nxit reagimin e Turqisë.