Ekspozita e dytë e konkursit ndërkombëtar të fotografisë "Istanbul Photo Awards 2026", të organizuar nga Anadolu Agency (AA), u hap në kryeqytetin italian, Romë, raporton Anadolu.
Me ekspozitën, e cila këtë vit u hap për herë të parë në Ankara dhe për herë të dytë në hapësirën e ekspozitave dhe aktiviteteve “Il Portale Ostiense” në Romë, publikut italian iu prezantuan më shumë se 50 fotografi të vlerësuara në konkursin ndërkombëtar të fotografisë "Istanbul Photo Awards 2026".
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë kryetari i Bordit Drejtues dhe drejtori i përgjithshëm i Anadolu-s, Serdar Karagoz, ambasadorja e Turqisë në Romë, Elif Çomoglu Ulgen, ambasadori i Turqisë në Vatikan, Fahrettin Altun, ambasadori i Palestinës në Vatikan, Issa Kassissieh, ambasadori i Kirgistanit në Romë, Ermek Omuraliev, e Ngarkuara me Punë në Ambasadën e Irakut në Vatikan, Ammar M. Dawood, përfaqësuesi i Republikës Turke të Qipros Veriore në Romë, Mustafa Kemal Beyazbayram, koordinatori i Akademisë dhe Publikimeve të Anadolu-s, Yahya Bostan si dhe drejtori i marketingut ndërkombëtar të agjencisë italiane të lajmeve ANSA, Rodolfo Cardarelli.
Në ceremoni ishin të pranishëm edhe shumë të ftuar të shquar nga fusha e diplomacisë, medias, kulturës, artit dhe biznesit. Duke folur në hapjen e ekspozitës, Serdar Karagoz shprehu kënaqësinë për hapjen e ekspozitës së "Istanbul Photo Awards" në Romë, duke theksuar se kryeqyteti italian është një nga qytetet më të rëndësishme në botë për sa i përket historisë dhe artit.
Karagoz tha se njerëzit e kanë përdorur artin për shekuj me radhë për të rrëfyer historitë e tyre dhe për të lënë gjurmë në histori. “Sot, fotografia e vazhdon këtë traditë. Fotografia dokumenton kohën në të cilën jetojmë, e paraqet botën ashtu siç është dhe na ndihmon të kuptojmë jetën e të tjerëve. Pikërisht kjo e bën fotografinë kaq të rëndësishme”, tha ai.
Karagoz theksoi se një fotograf i mirë rrëfen një histori përmes fotografisë së tij dhe ndihmon në nxjerrjen në pah të së vërtetës. “Përmes 'Istanbul Photo Awards' synojmë t’i bëjmë historitë të dukshme dhe t’ia përcjellim botës anët e ndryshme të së vërtetës. Duam të mbështesim fotografët që kanë guximin ta paraqesin botën ashtu siç është dhe vendosmërinë për t’ia përcjellë këto histori botës”, tha ai.
– “Vetëm këtë vit kemi marrë 19 mijë fotografi nga e gjithë bota”
Karagoz tha se që nga viti 2015 në konkursin "Istanbul Photo Awards" janë dorëzuar më shumë se 207 mijë fotografi nga rreth 22 mijë fotografë. “Vetëm këtë vit kemi marrë 19 mijë fotografi nga e gjithë bota. Këto shifra tregojnë se si 'Istanbul Photo Awards' është shndërruar në një konkurs të rëndësishëm ndërkombëtar”, vlerësoi ai.
Ai vuri në dukje se fotografia ndihmon për të kuptuar rëndësinë e ngjarjeve dhe tha se përgjegjësia e fotoreporterëve është veçanërisht e rëndësishme gjatë luftërave dhe gjenocideve. Karagoz theksoi se ishin mbledhur për të nderuar fituesit e "Istanbul Photo Awards 2026" dhe vijoi:
“Juria jonë ndërkombëtare zgjodhi një fotografi nga Gaza si fotografinë e vitit. Fotografia, e realizuar nga fotografi palestinez Haitam Imad për agjencinë EPA, titullohet ‘Gaza, pa shpresë’. Ajo paraqet një vajzë dyvjeçare, të quajtur Sham Qudeih, e cila ndodhej në Spitalin Nasser në Gaza. Ajo po luftonte me urinë e rëndë dhe sëmundjet. Në atë kohë, peshonte vetëm katër kilogramë. Gjendja e saj pasqyronte pasojat e tmerrshme që lufta në Gaza po u shkaktonte njerëzve. Pas realizimit të fotografisë, vajza e vogël u dërgua në Napoli të Italisë për të marrë trajtim mjekësor. Na gëzon shumë fakti që kemi mësuar se tani po shërohet".
– “Do të vazhdoj të rrëfej historitë e civilëve në Gaza”
Duke theksuar se historia e vajzës palestineze rrëfen shumë më tepër, Karagoz tha:
“Vogëlushja Sham pati mundësinë të merrte trajtim, por shumë fëmijë të tjerë në Gaza ende po vuajnë. Kemi nevojë për më shumë histori shprese nga Gaza. Mbi të gjitha, duhet të shohim përfundimin e gjenocidit në Gaza. Deri sa të vijë ajo ditë, do të vazhdoj të përcjell të vërtetat, të tregoj situatën në terren dhe të rrëfej historitë e civilëve në Gaza. Sepse bota ka të drejtë ta dijë se çfarë po ndodh në Gaza: civilët që humbin jetën nga sulmet izraelite, fëmijët që luftojnë me urinë dhe sëmundjet".
Drejtori i përgjithshëm, Karagoz theksoi se bota duhet të shohë përmasat e katastrofës humanitare në Gaza dhe të sigurojë që këto të vërteta të mos harrohen kurrë. Ai tha se kjo ekspozitë fotografike i çon në vende të ndryshme të botës dhe falënderoi partnerët e tyre në Itali, agjencinë ANSA, ambasadoren e Turqisë në Romë, Ulgen, ambasadorin e Turqisë në Vatikan, Altun, si dhe sponsorët e ekspozitës.
– Çomoglu Ulgen: “Është jashtëzakonisht emocionuese”
Ambasadorja e Turqisë në Romë, Elif Çomoglu Ulgen tha se Anadolu po organizonte për herë të parë një ekspozitë të tillë në Romë. “Besoj se kjo nuk do të jetë ekspozita e fundit këtu. Shpresoj që kjo ekspozitë të shënojë fillimin e një procesi që do të shndërrohet tashmë në një traditë”, tha ajo.
Duke vënë në dukje se ekspozitat e "Istanbul Photo Awards", të organizuara më parë në shumë kryeqytete të rëndësishme të botës, tani kanë mbërritur edhe në Romë.
Ajo tha se agjencia Anadolu u themelua në kohën kur Mustafa Kemal Ataturk po luftonte për pavarësinë e vendit dhe sot është zhvilluar gjatë presidencës së Recep Tayyip Erdogan, duke u shndërruar në një agjenci lajmesh që shërben si pikë referimi jo vetëm për Turqinë, por edhe për të gjithë rajonin, Evropën dhe botën.
– Altun: “Stambolli dhe Roma takohen përmes fotografisë”
Ambasadori i Turqisë në Vatikan, Fahrettin Altun tha se ishte veçanërisht i lumtur që mirëpriste "Istanbul Photo Awards" dhe dëshmonte sjelljen e një pjese të Stambollit në këtë qytet madhështor.
Duke theksuar se si Stambolli, ashtu edhe Roma janë qytete të kujtesës, Altun tha: “Këto janë qytete ku janë bashkuar perandori të mëdha, popuj dhe kultura. Edhe këtë mbrëmje, Stambolli dhe Roma takohen sërish përmes fotografisë”.
Altun vlerësoi se fotografitë e ekspozuara i ftojnë njerëzit të ndalen, të shikojnë më me vëmendje dhe të reflektojnë thellë mbi botën ku jetojnë. “Prandaj, sot nuk po hapim vetëm një ekspozitë; po hapim një dritare drejt botës sonë”, tha ai.
Altun theksoi se fotografia bën diçka shumë më të madhe dhe më të rëndësishme, pasi mund ta rikthejë botën në një dimension më njerëzor. Për këtë arsye, ai tha se duhet t'u shprehin mirënjohje fotoreporterëve.
Ekspozita në Romë do të jetë e hapur për vizitorët deri më 30 tetor.
Këtë vit, konkursi organizohet me mbështetjen e Turkcell si sponsor i komunikimit ndërsa Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) është sponsor i aktiviteteve jashtë vendit dhe Turkish Airlines (THY) sponsor i pjesshëm i transportit.