Esra Kaymak
10 tetor 2015•Përditësim: 11 tetor 2015
WASHINGTON (AA) - Presidenti amerikan Barak Obama të premten është takuar me familjet e viktimave të sulmit të armatosur në një kolegj në shtetin veriperëndimor amerikan të Oregonit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pas takimit që zgjati një orë, Obama tha se nevojitet të bëhet çmos që në të ardhmen në Shtetet e Bashkuara të Amerikë (SHBA) të parandalohen sulmet e armatosura.
"Ne duhet të mblidhemi së bashku, tërë vendi, të angazhohemi në drejtim të parandalimit të këtyre dukurive. Sot këtu janë familjet e viktimave, pikëllimin e të cilëve e ndjejmë edhe ne", tha Obama.
Javën e kaluar, një burrë 26-vjeçarë vrau tetë persona në një kolegj në Oregon, dhe më pas bëri vetvrasje.
Menjëherë pas sulmit, Obama kërkoi që amerikanët të bëjnë më shumë presion mbi kongresistët që të miratohen ligje më të rrepta për kontrollin e armëve.
Ai tha se sulmet e armatosura, por edhe reagimet e qeverisë amerikane ndaj tyre janë bërë "rutinë".
Qarqet të cilat mbështesin fuqishëm posedimin e armëve në SHBA, akuzuan presidentin amerikan se ngjarjet lidhur me të shtënat po i përdor për interesa personale.
Sipas organizatës "Everytown", të paktën 143 sulme me armë zjarri kanë ndodhur në shkollat e SHBA-ve që nga janari i vitit 2013, që mesatarisht i bie një sulm në javë.