Bayram Altuğ
10 Nëntor 2018•Përditësim: 10 Nëntor 2018
GJENEVË (AA) - Këshilli i Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Njeriut ka dhënë 258 rekomandime për Arabinë Saudite, përfshirë edhe zhvillimin e një hetimi në një mënyrë "të plotë, të besueshme, transparente dhe të shpejtë" për vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në sesionin e 31-të të Grupit Punues të Mekanizmit të Rishikimit Periodik të Këshillit të Kombeve të Bashkuara (UPR), janë shqyrtuar shkeljet e të drejtave të njeriut në Arabinë Saudite.
Në raportin e publikuar sot në seancën e 31-të të Grupit Punues të UPR, e cila ka filluar më 5 nëntor dhe do të përfundojë më 16 nëntor, janë dhënë 258 rekomandime për Arabinë Saudite.
Ndër rekomandimet e përpiluara nga Këshilli prej 47 anëtarësh të vendeve të ndryshme, në plan të parë është vënë vrasja e gazetarit saudit Khashoggi.
Kanadaja ka rekomanduar që hetimi në vazhdim për vrasjen e Khashoggit të zhvillohet "në mënyrë të plotë, të besueshme, transparente dhe të shpejtë", ndërsa Kroacia ka rekomanduar që hetimi duhet të zhvillohet në bashkëpunim me autoritetet turke që përgjegjësit të nxirren para drejtësisë.
Ndërsa Islanda ka bërë thirrje për përfshirjen e ekspertëve ndërkombëtarë në hetimin për vrasjen e Khashoggit. Poashtu edhe vendet tjera kanë bërë thirrje që Arabia Saudite të deklarojë të gjitha informacionet në lidhje me vrasjen e Khashoggit.
Në raport Arabia Saudite këshillohet për lirimin e të burgosurve femra në vend si dhe rekomandohet që të "heqë menjëherë masat shtrënguese të njëanshme kundër Katarit" si dhe "ti japë fund menjëherë sulmeve ndaj civilëve në Jemen".
Në anën tjetër, pritet që Arabia Saudite të shqyrtojë rekomandimet e raportit të Këshillit për të Drejtat e Njeriut me 258 pika dhe të japë përgjigje para seancës së 40-të që do të mbahet vitin e ardhshëm.