Bayram Altuğ
20 Tetor 2016•Përditësim: 20 Tetor 2016
GJENEVË (AA) - Përfaqësuesi i posaçëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për Sirinë, Staffan de Mistura, reagoi ndaj propagandës se gjoja civilët të cilët gjenden nën rrethim të regjimit të Bashar Al Assad-it në lindje të Halepit janë duke e braktisur qytetin. Ai tha se "banorët e Halepit nuk dëshirojnë të braktisin qytetin e tyre", raporton Anadolu Agency (AA).
De Mistura këtë deklaratë e dha në takimin e Grupit punues për Qasja Humanitare të Grupit Ndërkombëtar për Mbështetjen e Sirisë i cili u zhvillua në Gjenevë të Zvicrës.
Pas takimit De Mistura mbajti një konferencë për media në Zyrën e OKB-së në Gjenevë ku tha se kanë mirëpritur vendimin e Rusisë e cila shpalli armëpushim të njëanshëm 11 orësh në ditë në Halep dhe se armëpushimin në fjalë e konsiderojnë si "një vendim të mirë".