Zuhal Demirci
17 Tetor 2017•Përditësim: 18 Tetor 2017
ANKARA (AA) – Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA) bëri të ditur se tre nga pesë grave në botë u kufizohet e drejta për të lindur dhe se shumica e tyre ballafaqohen me “ndëshkimin e amësisë”, transmeton Anadolu Agency (AA).
UNFPA publikoi raportin për gjendjen e popullsisë në botë për vitin 2017 me titullin “Botërat e ndara: Të drejtat dhe shëndeti riprodhues në epokën e pabarazisë”.
Në raport thuhet se vetëm gjysma e grave në gjithë botën punojnë në punë e cila paguhet dhe se në nivel global gratë mund të marrin paga sa 77 për qind e përftimeve të meshkujve.

Në raport thuhet se dështimi në ofrimin e shërbimeve në shëndetin riprodhues, përfshirë edhe planifikimin familjar te gratë e varfra mund të dobësojë ekonomitë dhe mund të sabotojë përparimin në rrugën për një zhvillim të qëndrueshëm në eliminimin e varfërisë.
48 milionë aborte
“Në shumicën e shteteve në zhvillim, gratë e varfra kanë më së paku opsione për planifikim familjare. Gratë e këtij grupi kanë më së paku qasje në shërbimet e paralindjes dhe mundësia e lindjes së tyre pa praninë e një mjeku apo mamisë është mjaft e lartë”, thuhet në raport.
Më tej thuhet se qasja e kufizuar në planifikim familjar në shtetet në zhvillim çdo vit shkakton 89 milionë shtatzëni të paplanifikuara dhe 48 milionë aborte. Kjo gjendje nuk e dëmton vetëm shëndetin e gruas por i kufizon aftësitë e saj në pjesëmarrjen dhe qëndrimin në fuqinë punuese.
Gratë detyrohen të bëjnë zgjedhje mes karrierës dhe familjes
Në raport theksohet se mungesa e gjetjes së kujdesit të përshtatshëm për fëmijët për shkak të buxhetit familjar pengon që gratë të kërkojnë punë jashtë shtëpisë.
“Mungesa e lejes për lindje me pagesë dhe diskriminimet e punëdhënësve ndaj grave shtatzëna në tregun e fuqisë së punës nënkupton për ‘dënimin e nënës’ dhe kjo gjendje detyron që gratë të bëjnë zgjedhje mes familjes dhe karrierës”, thuhet në raport.
43 për qind e shtatzënive në vendet në zhvillim janë të paplanifikuara
Në raport po ashtu përfshihen të dhënat e hulumtimeve për shëndetin riprodhues dhe atë seksual të Institutit Guttmache, qendra e të cilit është në SHBA.
“Në vendet në zhvillim 43 për qind e shtatzënive janë të paplanifikuara. Shtatzënia e paplanifikuar është më e përhapur në mesin e grave të varfra, me nivel më të ulët arsimor dhe tek ato të cilat jetojnë në zonat rurale. Në shumicën e shteteve shkalla e lindshmërisë te personat e varfër është shumë më e lartë se tek njerëzit me të ardhura të larta", thuhet në raport.