Ahmet Gürhan Kartal
20 Prill 2022•Përditësim: 20 Prill 2022
Një oligark rus ka denoncuar "luftën e çmendur" në Ukrainë, duke pretenduar se 90 për qind e rusëve janë "kundër kësaj lufte", transmeton Anadolu Agency (AA).
Oleg Tinkov, themeluesi i Tinkoff Bank, po ashtu i quajti forcat ruse një "ushtri m..i", në një postim në Instagram.
“Duke u zgjuar me dhimbje koke nga të pirët, gjeneralët e kuptuan se kishin një ushtri m..i”, shkroi Tinkov.
"Dhe si do të jetë e mirë ushtria, nëse gjithçka tjetër në vend është m.t dhe zhytur në nepotizëm, sikofanti dhe servilizëm?".
Oligarku rus, i cili ka qenë objektivi i sanksioneve perëndimore, tha se nuk sheh një "përfitues të vetëm të kësaj lufte të çmendur!"
"Njerëz të pafajshëm dhe ushtarë po vdesin", shtoi ai. Tinkov dha dorëheqjen si kryetar i Tinkoff Bank në vitin 2020.
“I dashur 'Perëndim kolektiv', ju lutemi jepni (Vladimir) Putinit një dalje të qartë për të shpëtuar fytyrën e tij dhe për të ndaluar këtë masakër”, u bëri thirrje fuqive perëndimore.
"Ju lutemi jini më racional dhe humanitar. 90 për qind e rusëve janë kundër kësaj lufte!”, tha Tinkov.
"Sigurisht që ka budallenj që vizatojnë Z, por 10 për qind e çdo vendi janë moronë", tha ai, duke iu referuar simbolit që u pa në automjetet e blinduara ruse dhe më vonë u bë një simbol i mbështetjes për luftën e Rusisë në Ukrainë.
Ai shtoi se biznesmenët rusë "po përpiqen të shpëtojnë atë që ka mbetur nga prona e tyre".
Lufta në Ukrainë filloi gati 2 muaj më parë dhe shumë oligarkë rusë janë vënë në shënjestër të Perëndimit me sanksione të ashpra përkrah zyrtarëve rusë.
Tinkov, pasuria e të cilit mendohet të jetë rreth 3.5 miliardë dollarë, u sanksionua nga Britania e Madhe.