Elena Teslova
20 Prill 2022•Përditësim: 21 Prill 2022
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se Rusia nuk u beson negociatorëve ukrainas, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke komentuar situatën aktuale në bisedimet e paqes Rusi-Ukrainë në një intervistë me kanalin televiziv shtetëror rus Rossiya 24, Zakharova tha se parimi "beso por verifiko" nuk vlen më për bisedimet sepse kërkohet verifikim gjatë gjithë kohës kur janë në pyetje negociatorët ukrainas.
"Nuk është më ‘beso dhe verifiko’, është vetëm ‘verifiko’ këtu, sepse prej kohësh nuk ka besim tek këta njerëz", tha zëdhënësja.
Në të njëjtën kohë, ajo tha se Rusia ishte e përgatitur dhe priste që Ukraina të sillet në mënyrë jokonsistente gjatë negociatave.
Ajo vuri në dukje se qasja e Kievit ndaj bisedimeve me Rusinë është projektuar në të njëjtën mënyrë si edhe me zbatimin e marrëveshjeve të Minskut.
"Skema klasike, e cila thotë se regjimi nuk është i pavarur, është i kontrolluar. Dhe së dyti, negociatat përdoren si shpërqendrim", tha ajo.
Sipas vlerësimeve të OKB-së, të paktën 2.072 civilë janë vrarë dhe 2.818 janë plagosur në Ukrainë deri më tani në luftë, ndonëse shifra e vërtetë besohet të jetë shumë më e lartë.
Agjencia e OKB-së për refugjatët tha se më shumë se 4,9 milionë ukrainas kanë ikur në vende të tjera, ndërsa mbi 7 milionë të tjerë janë zhvendosur brenda vendit.