Hasan Esen
15 Mars 2016•Përditësim: 16 Mars 2016
BRUKSEL (AA) - Si pasojë e hapjes së zjarrit gjatë një operacioni të policisë në Bruksel të Belgjikës plagosen 4 policë dhe në një operacion të ndërmarrë pas kësaj ngjarjeje theksohet se sulmuesi "është neutralizuar", raporton Anadolu Agency (AA).
Në rajonin Forest afërsisht 10 km larg Brukselit policia kreu një operacion në një shtëpi në kuadër të hetimeve për sulmet në Paris të ndërmarra më 13 nëntor. Në operacionin e kryer në orën 15.20 me orën lokale si pasojë e hapjes së zjarrit u plagosën lehtë 4 policë.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Brukselit, Eric Van Der Sypt, tha se policët janë sulmuar në momentin kur po tentonin të hynin në shtëpi, ku dhe zjarri është hapur nga dera.
Ndërsa ministri i Jashtëm i Belgjikës, Jan Jambon ka theksuar se në operacion kanë marrë pjesë edhe policët francezë.
- Operacioni ende vazhdon-
Gjithashtu mësohet se në ngjarje kanë qenë të përfshirë të paktën 2 persona të cilët janë larguar pas ngjarjes, ndërsa vihet në dukje se policia i është vënë në ndjekje dhe se rreth orës 17.00 me orën lokale pas ngjarjes janë dëgjuar sërish të shtëna armësh.
Sipas lajmeve në median belge theksohet se njëri prej sulmuesve është neutralizuar, ndërsa mësohet se operacioni është në vazhdim i mbështetur nga helikopteri dhe forcat speciale të policisë. Bëhet e ditur se në rajonin e rrethuar ndodhet një shkollë dhe një çerdhe të cilat janë mbyllur pasi edhe policia ka mbledhur në një ambient të sigurtë fëmijët duke marrë masa të sigurisë që mos të hynin sulmuesit brenda.
- "Fëmija im ka mbetur i bllokuar në shkollë"-
Një qytetarë belg me origjinë turke Aynur Ateş, e cila ka fëmijën e bllokuar në shkollë në një deklaratë për gazetarin e AA-së u shpreh: "Normalisht fëmijët i transportonte mjeti i nxënësve. Pasi ai nuk erdhi telefonuam shkollën e cila na informoi se kishte konflikte me armë dhe se fëmijët ishin dërguar në vend të sigurtë. Fëmija im ka mbetur i bllokuar në shkollë, nuk mund të shkojmë atje. Kanë formuar tryezë të krizës. Na kanë dhënë një numër t'iu telefonojmë dhe na transferohet telefonata në një vend tjetër. Ndërsa tani na thanë 'prisni'. Nuk kemi zgjidhje tjetër përveçse të presim".
Ndërsa Oktay Emir Ateş i cili ka të bllokuar vëllain u shpreh se: "Dëgjova në radio se kishte ndodhur shkëmbim zjarri. Vajta në shtëpi dhe vërejta se nuk kishte ardhur ende mjeti i nxënësve të shkollës. Menjëherë erdha këtu, por nuk mund të arrijmë tek shkolla. Policia nuk na lejon të hyjmë atje. I kemi provuar të gjitha rrugët dhe sërish kemi ardhur këtu".
Në kuadër të masave të sigurisë mësohet se në dy linja të trenit janë ndaluar udhëtimet.
- Sulmet e Parisit-
Anëtarët e DAESH-it më 13 nëntor kryen sulme të njëkohshme në Paris, ku në ngjarje humbën jetën 130 persona. Ndërsa pas pretendimeve se sulmi ishte planifikuar nga qytetarë belgë dhe francezë nisën operacionet ku u ndaluan mbi 30 persona nga të cilët 8 prej tyre u arrestuan.
Po pavarësisht të gjitha operacioneve Salah Abdeslam i cili ishte një prej autorëve në sulmet e Parisit dhe i cili pas tyre ishte kthyer në Belgjikë nuk u arrit të gjendej.