Vügar Novruzoğlu
15 Mars 2016•Përditësim: 16 Mars 2016
MOSKË (AA) – Rusia do të vazhdojë me sulmet ajrore në Siri, krahas tërheqjes së pjesës më të madhe të forcave të saj, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëvendës ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Nikollaj Pankov deklaroi se avionët rusë do të vazhdojnë të bombardojnë objektiva në Siri. Në bazën ajrore Hmeimim në Siri të martën u mbajt ceremoni me rastin e tërheqjes së avionëve ushtarakë rus në vend.
Pankov gjatë ceremonisë tha se Rusia ka arritur disa rezultate të caktuara pozitive në Siri. “Janë arritur disa rezultate të caktuara pozitive. Ka ardhur rasti që të përfundojë konflikti i cili po zgjat me vite. Megjithatë, ende është herët të flitet për fitore në luftën kundër terrorizmit”, tha Pankov.
Presidenti rus, Vladmir Putin të hënën urdhëroi që forcat ajrore ruse të tërhiqen nga Siria. Kabineti i Putinit në Kremlin më herët në faqen e tij të internetit njoftoi se Putini me telefon ka biseduar me homologun sirian, Bashar al-Asad dhe kanë arritur marrëveshje për tërheqjen e forcave ajrore ruse nga Siria.
Me kërkesë të presidentit sirian, forcat ajrore ruse në fund të shtatorit të vitit të kaluar filluan operacionet ajrore në Siri. U paralajmërua që objektivat e sulmeve ruse të jenë bastionet e organizatës terroriste DAESH, ndërsa opozita siriane pohon se objektiv i këtyre sulmeve në të shumtën e rasteve janë pozita të forcave siriane të cilat janë kundër regjimit sirian në Damask.