Said İbicioğlu,Ramazan Turgut
17 Nëntor 2016•Përditësim: 18 Nëntor 2016
MEKË (AA) – Jusuf el-Uthejmin zgjidhet sekretari i 11-të i përgjithshëm i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI) në mbledhjen e jashtëzakonshme të ministrave të jashtëm që u mbajt në Mekë të Arabisë Saudite, raporton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën me shkrim nga OBI thuhet se në mbledhjen e realizuar në Pallatin Safa në Mekë, kandidati i vetëm për detyrën e sekretarit të përgjithshëm, Dr. Jusuf el-Uthejmin, është zgjedhur në krye të këtij funksioni.
Në deklaratë falënderohet sekretari i përgjithshëm i deritanishëm i OBI-t, Ijad Medeni i cili dha dorëheqje për arsye shëndetësore, ndërsa el-Uthejmin ka filluar detyrën duke e dhënë betimin.
Kush është Jusuf el-Uthejmin?
Uthejmin ka lindur në qytetin Unejza në pjesën qendrore të Arabisë Saudite. Në vitin 1976 ai u diplomua në drejtimin e Sociologjisë dhe Shërbimeve Sociale në Universitetin e Mbretit Saud. Pasi vazhdoi një periudhë karrierën e studimeve në universitetin e njëjtë, më vonë ai mbaroi studimet postdiplomike në Universitetin e Ohios.
Mes viteve 1986 dhe 1988 ai kreu detyrën e ndihmës docentit në Universitetin e Mbretit Saud, ndërsa në vitin 1988 ishte këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale.
Me vendimet e këshillit të ministrave, në vitin 1991 Uthejmin u caktua zv/ministër i punëve sociale, ndërsa në vitin 1997 këshilltar i ministrit. Në vitin 2002 Uthejmin u emërua në detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Fondacionit Mbreti Abdullah, kurse në vitin 2006 kryetar i Asociacionit të Kulturës dhe Artit të Arabisë Saudite. Në vitin 2008 ai u caktua ministër i punëve sociale, detyrë kjo të cilën e ushtroi deri në vitin 2014.
Uthejmin, i cili ishte drejtor i Zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të OBI-t dhe kryekëshilltar i Medenit, bëhet sekretari i 11-të i përgjithshëm i kësaj organizate të themeluar në vitin 1969 dhe sauditi i dytë në krye të kësaj detyre.