Ekip
11 Janar 2017•Përditësim: 11 Janar 2017
MAIDUGURI (AA) - Agjencitë humanitare, duke përfshirë edhe UNICEF-in, përfitojnë nga fondet e destinuara për refugjatët që ikin nga Boko Haram dhe nisur nga kjo sa më shpejt të jetë e mundur të largohen nga Nigeria, deklaroi sot guvernatori i shtetit të Nigerisë veriore Borno, transmeton Anadolu Agency (AA).
Këto kritika nga Kashim Shettima vijnë pas akuzave të presidentit nigerian Muhammad Buhari, i cili një muaj më parë tha se Kombet e Bashkuara po shfrytëzojnë krizën humanitare në Nigeri për ti rritur fondet e veta.
Në shtetin Borno, ku terroristët e Boko Haramit janë më aktiv, fëmijët dhe gratë mbesin të uritur për disa muaj, thotë Shettima.
"Ne tani jemi shndërruar në aparat për bërjen e parave, po përfitohet nga agonia e popullit tonë. Ata që me të vërtetë duan të punojnë këtu dhe të ndihmojnë, mund të qëndrojnë, por ata që shfrytëzojnë këtë situatë për përfitime financiare, ata mund të shkojnë nga Nigeria, sepse nuk na duhen që të na shfrytëzojnë", tha Shettima.
Sipas tij, vetëm tetë nga 126 agjencitë humanitare të regjistruara në Nigeri "e bëjnë punën e tyre si duhet", duke përfshirë Programin e OKB-së për ushqimin, Organizatën Ndërkombëtare për Migrim, Këshillin Norvegjez për Refugjatë, Këshillin Danez për Refugjatë dhe Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.
Shettima ka akuzuar UNICEF-in për abuzim me fondet dhe blerjen e automjeteve të blinduara.
Ai shtoi se shumë organizata humanitare janë të përqendruara në kampet e refugjatëve, ndërsa autoritetet nigeriane janë duke punuar në rindërtimin e objekteve për banorët e zhvendosur.
Ndaj këtyre akuzave të guvernatorit nigerian nuk kanë reaguar udhëheqësit e organizatave humanitare që veprojnë në Nigeri.
Tensionet në mes qeverisë nigeriane dhe agjencive humanitare janë gjithnjë e duke u ashpërsuar për shkak se agjencitë akuzojnë qeverinë se po përpiqe që të fsheh shkallën e krizës humanitare në vend dhe se agjentët e qeverisë dhe ushtarët janë duke vjedhur ndihmat ushqimore.
Organizata joqeveritare ndërkombëtare Mjekët pa Kufi javën e kaluar, tha se zyrtarët e saj "kanë dalë përtej fushës së aktivitetit të tyre tradicional mjekësor në shpërndarjen e ushqimit për shkak se njerëzit kanë nevojë emergjente, ndërsa agjencitë e tjera nuk ofrojnë ndihmë".