Ayşe Aktaş
17 Dhjetor 2017•Përditësim: 17 Dhjetor 2017
KARAÇI – Të paktën 8 persona humbën jetën ndërsa 44 të tjerë u plagosën në sulmin e kryer ndaj një kishe të kryeqytetit të provincës Baloçistan të Pakistanit, Ketta, gjatë një rituali të së dielës, raporton Anadolu Agency (AA).
Shefi i policisë në provincën Baloçistan, Abdul Razzak Cheema tha se sulmuesit kanë bastisur kishën gjatë ritualit të së dielës, ku kishin marrë pjesë rreth 400 persona.
Cheema tha se sulmi është kryer nga 4 militantë. Sipas tij, njëri nga sulmuesit ka hedhur veten në erë në hyrje të kishës kurse një tjetër ishte vrarë nga forcat e sigurisë.
Ai bëri të ditur se po vazhdojnë operacionet për kapjen e dy militantëve të tjerë. Cheema thotë se si pasojë e sulmit kanë humbur jetën 8 persona dhe se 44 të tjerë janë plagosur.
Kryeministri i Pakistanit, Shahid Hakan Abbasi, në një deklaratë për media dënoi sulmin i cili në objektiv kishte të pafajshmit.
“Terroristët nuk kanë fe. Nuk do të lejojmë që ata të prishin paqen dhe vlerat tona. Shteti do t'u rezistojë atyre me gjithë fuqinë që ka”, tha Abbasi, duke shprehur ngushëllime për familjarët e atyre që humbën jetën në sulm.
Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë mbi sulmin.