Islam Uddin
25 Qershor 2021•Përditësim: 25 Qershor 2021
Kreu i task-forcës kundër koronavirusit të ri (COVID-19) në Pakistan, Asad Umar, ka paralajmëruar se muajin e ardhshëm vendi mund të goditet nga vala e katërt e pandemisë, si dhe ka kërkuar nga populli i tij që t'u përmbahen masave të sigurisë dhe të vaksinohen, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Rishikoni sot analizën e modelimit të sëmundjes së bazuar në inteligjencën artificiale. Në mungesë të zbatimit të procedurës standarde dhe programit të vazhdueshëm të vaksinimit, në Pakistan mund të shfaqet vala e katërt", shkroi Umar në rrjetet sociale.
Ai apeloi që t'u përmbahen procedurave standarde dhe të vaksinohen sa më parë.
Mes normës në rënie të infeksionit dhe vaksinimit të shpejtë, shumica e kufizimeve në Pakistan janë lehtësuar.
Por një rezistencë e dukshme për të ndjekur udhëzimet shëndetësore, të tilla si mbajtja e maskave dhe hezitimi ndaj vaksinave, ka bërë që qeveritë provinciale të paralajmërojnë masa drastike si bllokimi i lidhjeve të telefonave dhe pagave të punonjësve të qeverisë të cilët nuk janë vaksinuar.
Pakistani, i cili ka marrë vaksina kryesisht nga Kina, deri më tani ka administruar mbi 13,5 milionë doza. Momentalisht, çdo 18-vjeçar mund të vaksinohet.
Gjatë 24 orëve të fundit, vendi regjistroi 1.052 raste të reja me COVID-19, duke e çuar numrin e përgjithshëm të tyre në 952.907. Po ashtu, numri i viktimave është rritur në 22.152, me 44 viktima të regjistruara brenda ditës së fundit.