Islam Uddin
19 Shkurt 2026•Përditësim: 19 Shkurt 2026
Ministria e Punëve të Jashtme e Pakistanit ka njoftuar se ka thirrur diplomatin afgan pas një sulmi terrorist në provincën veriperëndimore Khyber Pakhtunkhwa, pranë kufirit me Afganistanin, ku u vranë 11 ushtarë, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i ministrisë, Tahir Andrabi, tha se zv.shefi i misionit afgan në Islamabad u thirr dhe iu dorëzua një "demarsh i fortë" lidhur me sulmin e 16 shkurtit në distriktin Bajaur.
Pakistani e dënoi ashpër sulmin vetëvrasës me automjet, i ndjekur nga një sulm i armatosur ndaj një posti të ushtrisë dhe forcave të rendit, duke ia atribuar atë TTP-së, të cilën autoritetet pakistaneze e quajnë "Khwarij".
Islamabadi shprehu "shqetësim serioz" për praninë e udhëheqjes së TTP-së në Afganistan dhe paralajmëroi se Pakistani ruan të drejtën për të vepruar kundër militantëve kudo që ndodhen.
Nuk pati reagim të menjëhershëm nga Kabuli. Autoritetet afgane kanë mohuar vazhdimisht praninë e TTP-së në territorin e tyre, duke deklaruar se nuk do të lejojnë përdorimin e Afganistanit kundër Pakistanit.
Sipas zyrtarëve pakistanezë, sulmi ndodhi kur një kamikaz shpërtheu një automjet me eksploziv në një pikë kontrolli në Bajaur. Pas shpërthimit, forcat e sigurisë raportuan se vranë 12 militantë.