Şenhan Bolelli
18 Gusht 2017•Përditësim: 18 Gusht 2017
BARCELONË (AA) –Në një operacion në orët e mëngjesit vriten 5 persona, për të cilët dyshohet se janë përgatitësit e sulmit terrorist të organizuar në qytetin Barcelonë të Spanjës, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të burimeve të policisë lokale të Katalonjës, 5 të dyshuar të cilët thuhet se janë përgatitësit e sulmit të djeshëm në Barcelonë ku humbën jetën 13 persona, si dhe të cilët thuhet se ishin në përgatitje të një sulmi tjetër të ngjashëm, u vranë në një përleshje në orët e mëngjesit në vendbanimin turistik të rajonit të Katalonjës në Cambrils.
Në incidentin e përjetuar në mesnatë në lagjen Maritimo të qarkut Cambrils të qytetit Tarragona, 200 kilometra në jug të Barcelonës, u realizua një sulm i ngjashëm terrorist me automjet si në Barcelonë. Policia njoftoi se terroristët të cilët kishin përplasur 5 civilë dhe një polic, janë vrarë nga ekipet e sigurisë. Burimet policore po ashtu njoftojnë se kanë filluar hetimet për të parë nëse ka ndërlidhje mes këtyre sulmeve terroriste dhe një shpërthimi të realizuar dy ditë më parë në një shtëpi në qytetin Alcanar të rajonit Katalonia. Më parë si arsye e këtij shpërthimi ku kishte humbur jetën një person dhe 7 të tjerë ishin plagosur, ishte thënë se është rrjedhja e gazit.
3 ditë zie
Në anën tjetër Qeveria spanjolle pas sulmit terrorist të realizuar në qytetin Barcelonë, ku humbën jetën të paktën 13 persona dhe u plagosën rreth 100 të tjerë, shpalli 3 ditë zie në vend.
Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, në një deklaratë për mediat në Barcelonë u shpreh se "ndjejnë dhimbje të thellë" dhe njoftoi se është shpallur 3 ditë zie në kujtim të atyre që humbën jetën dhe për të treguar solidaritet për viktimat e sulmit terrorist.