Burç Eruygur,Efe Özkan
21 gusht 2024•Përditësim: 23 gusht 2024
Parlamenti i Ukrainës (Verkhovna Rada) ratifikoi sot Statutin e Romës, duke e kaluar projektligjin me 281 vota pro, transmeton Anadolu.
Para votimit, deputetët morën letra mbështetëse nga Shtabi i Përgjithshëm dhe Kyrylo Budanov, kreu i Inteligjencës së Mbrojtjes së Ukrainës, njoftoi deputeti Yaroslav Zheleznyak.
Duke komentuar ratifikimin e Statutit të Romës, ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha në X se Kievi është bërë anëtari i 125-të i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP).
"Ky ka qenë një udhëtim i gjatë plot sfida, mite dhe frikë. Asnjëra prej tyre nuk ka qenë e vërtetë. Dhe sot, më në fund jemi atje, falë udhëheqjes së presidentit Zelenskyy, viteve të punës sistematike nga Ministria e Jashtme dhe institucionet e tjera dhe vullnetit të parlamentarëve ukrainas", tha Kuleba.
Kuleba e përkufizoi më tej ratifikimin e Statutit të Romës si "një tjetër hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE".
Projektligji, i propozuar nga presidenti Volodymyr Zelenskyy të enjten e kaluar, synon të harmonizojë Kodin Penal të Ukrainës me Statutin e Romës të Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Shënimi shpjegues për projektligjin theksoi nevojën për të harmonizuar ligjin penal të Ukrainës me standardet ndërkombëtare, veçanërisht në kontekstin e konfliktit me Rusinë.
Statuti i Romës, i miratuar në vitin 1998, themeloi GJNP-në me seli në Hagë.