Ekip
03 Qershor 2021•Përditësim: 03 Qershor 2021
Parlamenti Pan-Afrikan (PAP) në Johannesburg të Afrikës së Jugut ka njoftuar pezullimin e seancave të zakonshme pas disa ditësh grindje midis disa ligjvënësve për zgjedhjen e bartësve të ri të zyrave, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Pezullimi pason mosmarrëveshjet dhe përçarjet që ndodhën gjatë procesionit të seancës plenare më 31 maj dhe 1 qershor 2021 derisa PAP po synonte të zgjedh presidentin dhe nënkryetarët e zyrës së tij", tha mbrëmë në një njoftim sekretari i Parlamentit, Vipya Harawa.
Kreu i Komisionit të Unionit Afrikan, Moussa Faki Mahamat, dje i shkroi një letër parlamentit, ku tha se ajo që po ndodh në trupin kontinental po dërgon një imazh negativ në lidhje me institucionin si Unioni Afrikan.
Sipas letrës, Mahamat kërkoi nga kryetari i përkohshëm i Parlamentit Pan-Afrikan të ndërpresë seancat për një muaj për të krijuar një situatë të favorshme për zgjedhje të lira, paqësore dhe të drejta.
Të hënën, anëtarët e parlamentit nga rajonet e Afrikës së Jugut dhe Afrikës së Veriut propozuan që presidenti i ri i parlamentit të zgjidhet në bazë rotacioni pasi të gjitha rajonet e tjera në kontinent kanë pasur një president përveç tyre.
Kryetarja e partisë së Kongresit Kombëtar Afrikan (ANC) në Afrikën e Jugut, Pemmy Majodina, u sulmua dhe u shkelmua nga ligjvënësi Djibril War derisa po kacafytej me ligjvënësit e tjerë.
Video pamjet që qarkullojnë në internet treguan disa anëtarë të parlamentit që rrëmbyen kutinë e votimit.
Të martën, politikani i opozitës së Afrikës së Jugut, Julius Malema, po ashtu anëtar i Parlamentit Pan-Afrikan, shkaktoi probleme në parlament, duke kërkuar që kryetarja Jaynet Kabila të hap debatin pas pikës procedurale të tij.
Kur Kabila tha se nuk do të ketë debat, Malema së bashku me disa ligjvënës të tjerë meshkuj lëshuan vendet e tyre për t'iu kundërvënë Kabila-s.
Kjo krijoi konfuzion dhe kaos pasi ata që mbështetnin Kabila-n e rrethuan atë për ta mbrojtur, duke shkaktuar një kaos tjetër.
Nëpunësi i parlamentit, Harawa, tha se ai pendohet për ndërprerjet që ndodhen gjatë seancës së zakonshme të parlamentit, gjë që ka ndikuar në vazhdimësinë e punës së parlamentit.
Trupi kontinental duhej të mbante zgjedhje të enjten e kaluar, por u prolonguan pasi një anëtar i stafit doli pozitiv ndaj koronavirusit të ri (COVID-19).
Kreu i Parlamentit Pan-Afrikan, Roger Nkodo Dang, i cili ka shërbyer për dy mandate, është nga Kameruni, ndërsa paraardhësi i tij, i ndjeri Bethel Nnaemeka Amadi, ishte një ligjvënës nigerian.
Parlamenti Pan-Afrikan u themelua në vitin 2004 si një organ legjislativ i Unionit Afrikan, me synimin për të siguruar pjesëmarrjen e plotë të popujve të Afrikës dhe organizatave të tyre bazë në qeverisjen dhe integrimin ekonomik.
Çdo anëtar i Unionit Afrikan kontribuon me pesë ligjvënës në parlamentin kontinental, i cili mban dy seanca plenare në muajin maj dhe tetor.