Davit Kachkachishvili
01 Gusht 2017•Përditësim: 01 Gusht 2017
TBILISI (AA) - Zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence bëri të ditur se presidenti i SHBA-ve Donald Trump do ta nënshkruaj në një të ardhme të afërt projektligjin për sanksionet ndaj Rusisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Pence i cili ndodhet në Gjeorgji për një vizitë zyrtare, zhvilloi takim me kryeministrin gjeorgjian Giorgi Kvirikashvili.
Pas këtij takimi në ndërtesën qeverisë, Pence dhe Kvirikashvili organizuan një konferencë të përbashkët për media, ku kryeministri Kvirikashvili theksoi se SHBA dhe Gjeorgjia kanë 25 vite marrëdhënie diplomatike dhe se Gjeorgjia i ka tejkaluar rrugët e vështira dhe ka ardhur deri në këto ditë në mënyrë të suksesshme nëpërmjet mbështetjes së SHBA-ve.
Ndërkaq lidhur me pyetjen për integritetin territorial të vendit, Kvirikashvili tha se populli i Gjeorgjisë në linjën e okupimit, çdo ditë po përballet me shkelje të të drejtave, grabitje e provokime të ndryshme. Ai tha se për zgjidhjen e problemeve të integritetit territorial dhe për më shumë paqe e stabilitet, kusht është integrimi në NATO.
Kurse zv/presidenti amerikan Pence, duke e përcjellë mesazhin e presidentit Trump, gjatë fjalimit të tij tha se “Ne ju mbështesim, jemi pranë popullit gjeorgjian”.
Ai po ashtu tha se do të vazhdojë mbështetja e SHBA-ve për zhvillimin ekonomik të Gjeorgjisë dhe rritjes së mundësive për sigurinë dhe mbrojtjen e këtij vendi.
“Në tokat e pushtuara, 40 kilometra larg nga këtu, ndodhen tanket e rusëve. 20 për qind e territorit të Gjeorgjisë është nën pushtim. Unë nënvizoj se SHBA-ja dënon fuqishëm pushtimin e territoreve gjeorgjiane nga Rusia. SHBA-ja ofron mbështetje konkrete për integritetin dhe sovranitetin territorial të Gjeorgjisë. Administrata e e Trumpit gjithmonë do të japë përgjigje të ashpra kundër atyre që përpiqen të shkelin sovranitetin dhe integritetin territorial të Gjeorgjisë”, thotë Pence.
Ai po ashtu potencoi mbështetjen në procesin e anëtarësimit të Gjeorgjisë në NATO.
Lidhur me pyetjen e gazetarëve se SHBA-ja po e mbështet Gjeorgjinë dhe shtetet Baltike, Pence tha se “Presidenti Trump mua më ka dërguar në shtetet Baltike, në Gjeorgji dhe në Mal të Zi për ta përcjellë mesazhin tonë të mbështetjes. SHBA-ja është pranë shteteve të cilat e duan paqen”.
Ai po ashtu tha se gjithë aleatët e NATO-së duhet të mbajnë të njëjtin pozicionim kundër kërcënimit rus.
Duke vënë në dukje se mbështetja e dhënë nga Rusia për disa regjime po e vështirëson procesin e krijimit të marrëdhënieve të mira mes Rusisë dhe SHBA-ve, Pence thotë se “Jam i sigurtë se me mirëkuptim të ndërsjelltë, ne në të ardhmen do t’i rregullojmë marrëdhëniet me Rusinë. Jam i bindur se dialogu do të na sjellë rezultate më të mira. Dialogu do të sjellë një mundësi për zgjidhjen e konflikteve afatgjate në Ukrainë, Gjeorgji dhe në vendet e tjera të botës”.
Zv/presidenti amerikan Pence po ashtu bëri të ditur se presidenti i SHBA-ve Trump në një të ardhme të afërt do ta nënshkruajë projektligjin e ri për sanksionet ndaj politikës pushtuese të Rusisë. Ai tha se ky dokument në Senat do të shndërrohet në ligj.
“Në të vërtetë ne dëshirojmë largimin e sanksioneve ndaj Rusisë, por kjo mund të realizohet vetëm nëse Rusia heq dorë nga politika e saj destruktive. Ne dëshirojmë të kemi marrëdhënie më të mira me Rusinë por hapat e marra kundër diplomatëve në periudhat e fundit për fat të keq tregojnë të kundërtën”, tha ai.