Beyza Binnur Dönmez
11 Mars 2021•Përditësim: 11 Mars 2021
Peruja ka marrë serinë e parë prej 117.000 dozave të vaksinës kundër koronavirusit të ri (COVID-19) Pfizer/BioNTech nga mekanizmi COVAX i Kombeve të Bashkuara dedikuar për dërgimin e vaksinave në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Gjithsej 117.000 vaksina kundër koronavirusit kanë arritur përmes nismës COVAX, ndërsa 50.000 janë blerë me negociata të drejtpërdrejta", bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë e këtij vendi në Twitter.
Ministri peruan i Shëndetësisë, Oscar Ugarte Ubilluz, theksoi se falë kësaj iniciative të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe UNICEF-it mund të konfirmojnë se në botë po bëhen përpjekje për shpërndarjen e drejtë të vaksinave.
Presidenti i Perusë, Francisco Sagasti, i cili ishte i pranishëm në dërgesën e vaksinave në aeroport, tha se mbërritja e serisë së parë është "shenjë e qartë" se gjatë javëve të ardhshme ky vend i Amerikës Latine do të vazhdojë të punojë në sigurimin e qasjes së vaksinave për të gjithë peruanët.
"Ky aksion tregon rëndësinë e punës dhe solidaritetit të përbashkët", tha Sagasti.
Ai theksoi se Peruja nënshkroi marrëveshje për dërgesën e 48 milionë doza të vaksinës gjatë këtij viti.
"Vazhdojmë të negociojmë me furnizuesit e tjerë për të siguruar më shumë doza për imunizimin e mbarë popullatës së rritur të vendit tonë", tha ai.
Sipas të dhënave të Universitetit amerikan "Johns Hopkins", Peruja ka më shumë se 1,38 milion raste të virusit dhe rreth 48.200 raste të vdekjes.