Tufan Aktaş
04 Prill 2019•Përditësim: 04 Prill 2019
Ministrja e Transportit e Etiopisë, Dagmawit Moges, deklaroi të enjten se pilotët e Ethiopian Airlines para aksidentit fatal në mars të këtij viti kanë kaluar të gjitha procedurat sipas rekomandimeve të Boeingut, raporton Anadolu Agency (AA).
"Pilotët kanë kaluar nëpër të gjitha procedurat e rekomanduara nga prodhuesi i avionit. Megjithatë, ata nuk arritën të vënë kontrollin mbi avionin", tha Moges.
Kujtojmë se avioni i tipit Boeing 737 Max 8 i kompanisë ajrore Ethiopian Airlines u rrëzua më 10 mars pak kohë pasi ishte nisur nga Addis Ababa për në kryeqytetin e Kenias, Nairobi, ku si pasojë humbën jetën 157 personat që ndodheshin në avion.